Gjendja e rrugës Viti-Kllokot-Gjilan. FOTO: KALLXO.com

Qytetarët e mllefosur me gjendjen e rrugës regjionale Gjilan – Ferizaj (VIDEO)

Rruga Viti – Kllokot – Gjilan tash e disa muaj ka mbetur e paasfaltuar dhe e mbushur me gropa.

Projekti për shtrimin e saj nisi 6 muaj më parë por ende nuk i shihet fundi.

Banorët e kësaj ane po ankohen për zvarritjen e punimeve.

Ata për KALLXO.com ata kanë rrëfyer telashet e përditshme që u sjell kjo rrugë.

Ramadan Azizi nga fshati Budrikë e Epërme i komunës së Vitisë shprehet i indijuar me këtë situatë, duke thënë se gjendja e rrugës u sjell shumë telashe banorëve.

“Probleme me rrugën, ne s’kemi kah një të sëmurë me dërgu prej rrugës, aq shumë është e dëmtuar. Ia kanë nis që 5-6 muaj me punu, s’ka kurgjë hiç. Pluhur, uji hynë nëpër shtëpi, del nga gypat, gypat e ngushtë, ai nuk e ngreh tymin me qenë i shporetit, jo ujin…” – ka thënë Azizi.

“Unë i kisha thënë ministrit me dal me këqyrë vetë, me këqyrë gjendjen qysh është e tek është, le të del vetë, le ta fus kerrin e vet sikurse ne që po e paguajmë nga 300-400 euro në vit, sigurimet e që shitet për këtë rrugë, e po e paguajmë edhe rrugën 40 euro, 45 euro kur po e regjistrojmë” – ka shtuar ai.

Për këtë gjendje është ankuar edhe banori Shpend Kosumi nga fshati Livoq i Ulët i Gjilanit.

Ai shpreh shqetësim se me rriten e qarkullimit në këtë zonë gjatë verës, gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë.

“Tash edhe dy-tre javë është koha kur vijnë mërgata, gurbetqarët, fillojnë dasmat e ku e di unë, këtu bëhet tmerr. Ne gëzohemi kur bjen qeshtu shi sepse nuk bëhet pluhur…” – ka thënë Kosumi.

Ai ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për këtë gjendje të shkaktuar dhe njëkohësit ka apeluar te Ministria e Infrastrukturës që të bëjë një zgjidhje për situatën.

“Ne jemi taksapagues të këtij vendi, të këtij shteti edhe ky është një fshat diku me mbi 500 shtëpi më duket i ka edhe ne jemi në hall domethënë, duhet me na e bë një zgjidhje. Nëse nuk mundesh me i dal zot, mos e prek hiç njëherë edhe këtu dikush duhet me dhënë përgjegjësi, realisht Ministria e Infrastrukturës meqë është rrugë regjionale edhe duhet me bë një zgjedhje këtu” – është shprehur Kosumi.

Në një përgjigje për KALLXO.com zv.ministri i Infrasktrukturës, Hysen Durmishi tha se së shpejti rruga do të asfaltohet. Ndërsa, për vonesa fajin ia la shiut.

“Do të kryhet, kjo është me kontratë dhe me kredi me BREZH-in, është duke u punuar dhe priotet në fillim të javës së ardhshme me u shtru asfalti aty dhe me dhe me u përgatitë për asfalt. Kushtet atmsferike, shi për çdo ditë, po e vështirëson punën, përndryshe është duke u punuar” – ka thënë Durmishi.

Gjendja e rrugës Viti-Kllokot-Gjilan. FOTO: KALLXO.com
Gjendja e rrugës Viti-Kllokot-Gjilan. FOTO: KALLXO.com
Gjendja e rrugës Viti-Kllokot-Gjilan. FOTO: KALLXO.com