Flamuj të Serbisë në Mitrovicën Veriore - Foto: REL/AFP

Në Mitrovicën e veriut qytetarët flasin për 'Planin franko-gjerman' - VIDEO

Dy ditë pas takimit mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qytetarët në pjesën veriore të Mitrovicës shprehen pozitivisht për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndryshe nga rastet kur në veri ka tensione, të mërkurën në rrugët në Mitrovicën Veriore pati dhjetëra qytetarë të cilët kryenin punët e tyre ditore.

Disa prej tyre madje pranuan edhe që të flasin në lidhje me takimin e 27 shkurtit mes Kurtit e Vuçiqit, takim që u krye pa pasur një nënshkrim të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me ‘Planin franko- gjerman’ i përkrahur edhe nga SHBA.

Për planin franko-gjerman, qytetarët në Mitrovicën veriore nuk kanë shumë njohuri pasi që thonë se nuk e kanë lexuar dhe nuk e kanë kuptuar, por kur vjen fjala te asociacioni me komunat me shumicë serbe, të shumtë janë që e përkrahin.

Një kalimtar i pyetur nga KALLXO.com ka lëvdata për presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Atë, çfarë kam dëgjuar në televizioni. Përndryshe, puna e Vuçiqit realisht me fol deri tani është shumë e mirë, jep gjithçka nga vetja që të kryhet diçka (në kuptim të arritjes) për këtë popull dhe rininë tonë këtu. Jemi për formimin e tij (asociacionit), por me kushtet që Vuçiq kërkon, e jo si Kurti kërkon”- thotë kalimtari.

Kur pyetet në lidhje me tensionet, ai shprehet se tensionet janë të maskuara.

Një tjetër qytetar e konsideron asociacionin si tradhti serbe.

“Nuk më intereson për të. Asociacioni i Komunave serbe është tradhti serbe e dakorduar me palën Kosovare, që dy njerëz me vazhdu me qenë sa më gjatë në pushtet. Do të formohet njëfarë Asociacioni i Komunave Serbe që të na vërtetuar librezat e shëndetësisë, kjo është ajo”- thotë qytetarja në veri të Mitrovicës.

Banori tjetër flet me hezitim nëse duhej të nënshkruhej ‘Plani franko-gjerman’.

“Nga ta di, kjo është politikë tjetër çka thuhet, tjetër çka veprohet e tjetër realizohet. Populli po e pëson”- thotë ai.

Një grua tjetër që jeton në pjesën e Mitrovicës Veriore thotë se problemi nuk është me popullin shqiptar por politikën.

Do të thoshte të jemi zot të vetvetes. Nëse Asociacioni do të formohej, kjo do të ishte e jona, udhëheqësia jonë, kjo do të ishte shumë e rëndësishme. Por ne do të vazhdonim edhe më tutje që të jetojmë me ata (shqiptarët) si fqinjë. Me ata kemi jetuar për sa vite. Ne nuk kemi problem me popullin, por politika ndryshon në popull”- thotë ajo.

Tutje shton se ajo nuk ka pasur ndonjë rast që ka pasur ndonjë incident në familjen e saj pas ngritjes së tensioneve në Mitrovicën veriore vitin e kaluar.

Ne në veri nuk kemi probleme, të na shtypin apo të ndodhë ndonjë incident me të vërtetë jo. Më tepër në enklava kanë problem (folësja me enklava mendon për Komunat Graçanicë, Partesh, Shtërpce) siç raportohet, siç e shihni edhe ju vetë. Ne personalisht jo, as fëmijët e mi, edhe pse unë shoqërohem me ata, unë kam punuar me shqiptarë. Shoqërohemi, pimë kafe. Tani çfarë do të bëhet do të shohim”- tregon ajo.

Qytetari tjetër shprehet se ka arritur të lexoj në media për ‘Planin franko- gjerman’.

“Personalisht, mendoj që situata nuk është qetësuar tani, që situata ka qenë e qetë edhe më herët. Para nënshkrimit, respektivisht para pranimit të këtij plani. Çfarë rezultati do të sjellë pranimi i këtij propozimi do të ketë do të shohim për disa ditë”- thotë ai.

Për disa orë zgjatën takimet në Bruksel mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi përfundoi por nuk pati marrëveshje.

Presidenti serb, Vuçiq para mediave tha që kryeministri Kurti nuk e ka pranuar formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Besoj që do të mund të punojmë në atë që e kemi quajtur zbatim dhe para se gjithash zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë. Unë pres planin e zbatimit sa i përket marrëveshjeve të arritura më parë. Së pari vjen zbatimit dhe pastaj duhet ta shohim, së pari duhet ta kemi hartën. Nuk është arritur asgjë përveç të bisedojmë, si mund të bisedojmë kur ka kundërshtime për formimin e Asociacionit”- tha Vuçiq.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, tha që ka progres nga palët por, sipas tij, nevojiten diskutime.

“Jam i lumtur të lajmëroj që Vuçiq dhe Kurti janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit të BE-së, i cili ka titullin ‘Propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’. Ata janë pajtuar që nuk nevojiten diskutime të tjera, ky është propozimi që do të publikohet në shërbimin për veprim të jashtëm të BE-së”, tha ai.

Borrell paralajmëroi është një takim të radhës Kurti- Vuçiq duke shtuar se “fundi i marsit është koha kur pres të finalizohet puna”.

“Unë do ta thërras edhe një mbledhje tjetër të liderëve gjatë marsit me të dy liderët për zbatimin e aneksit. Kjo është pjesë e marrëveshjes dhe duhet të finalizohet. BE i ka rikujtuar partnerët për obligimet e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet. Ne mes të marsit përfaqësuesi speciale i BE-së do ta vizitoj Kosovën dhe Serbinë për të marrë përgjigjet për takimin e ardhshëm” – tha ai.

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruante planin e Bashkimit Evropian, i njohur si plani franko-gjerman.

“Plani i zbatimit do të jetë plan se si të përkthehet në terren, në realitetet e dy shteteve, dakordimi i arritur. Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme. Unë kam shprehur gatishmërinë që ta nënshkruaj. Mendoj që është dëm që nuk u nënshkrua sot meqenëse jemi pajtuar” – tha Kurti.

Kurti ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në rrugë të mbarë.

“Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit për çka do të ketë diplomaci fluturuese, por edhe takim të lartë nga mesi i muajit mars. Jemi në një rrugë të mbarë dhe një kahëshe të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë” – tha ai.

I pyetur nëse ka pranuar Asociacionin, Kurti ka thënë se Asociacioni është në nenin 10 të marrëveshjes.

“Ai është neni 10, është fjalia e fundit e nenit të fundit dhe për këtë gjë tashmë jam përgjigjur” – tha ai.

Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përparimi drejt zbatimit të propozimit, sipas bllokut evropian, do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.