Qytetarët e Luginës votojnë edhe njëherë në Tërnoc (FOTO)

Sot në shkollën ‘Muharrem Kadriu’ në Tërnoc të Bujanocit është duke vazhduar procesi i rivotimit për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Qytetarët kanë dërguar në KALLXO.com fotografi nga kjo qendër e votimit në të cilën shihen radhët për të votuar.

Për këtë ripërsëritje, sot kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje qytetarëve të Luginës së Preshevës që ta votojnë koalicionin e Shqiptarëve të Luginës për ta bërë edhe njëherë deputet në parlamentin serb, Shaip Kamberin.

Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte kërkuar ripërsëritje të votimit, pasi që sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të, siç tha, pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9,644 vota të cilat nuk ia dhanë një mandat shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13,000 vota.

 

Shqiptarët pa deputetë në Kuvendin e Serbisë