QKUK tregon gjendjen e këmbësores që sot u godit nga një veturë në rrugën Prishtinë - Fushë-Kosovë

Një këmbësore është goditur nga një veturë sot gjatë ditës në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë.

Viktima kishte pësuar lëndime dhe ishte dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

Momentalisht gjendja e saj është stabile ndonëse është duke u trajtuar në Mjekim Intensiv.

Agreta Gashi, mjeke kujdestare, ka thënë për KALLXO.com se këmbësorja e aksidentuar ka lëndime të rënda.

“Po, pacientja është duke u trajtuar në Mjekim Intensiv, ka lëndime të rënda mirëpo gjendja është stabilizuar për momentin”, tha ajo për KALLXO.com.

Vetura e cila ka aksidentuar këmbësoren ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës, kishte konfirmuar rastin gjatë ditës për KALLXO.com.

“Me rastin po merret njësiti i trafikut, të cilët përveç që po hetojnë  rrethanat  e këtij aksidenti, janë duke punuar në identifikimin e personit/ ngasësit të automjetit të përfshirë në aksident, pasi që i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë ajo.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës për ndonjë informacion të ri në lidhje me rastin, por deri në publikimin e këtij rasti nuk ka pranuar përgjigje.