QKSS: Kosova me shumë probleme nuk e pati problem t`i rikthejë shtetasit që i shkuan në Siri dhe Irak

Ndonëse një shtet me shumë probleme, Kosova është ndër vendet e para që ka pranuar t’i  rikthej e integrojë të kthyerit nga zonat e luftës në Siri e Irak.

Kjo u tha gjatë prezantimit të raportit “Zbërthimi i përgjigjes së Kosovës ndaj të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak”, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Skënder Perteshi, hulumtues nga QKSS tha se gjatë vitit 2019 rehabilitimi dhe integrimi i këtyre personave ka qenë prioritet i institucioneve.

Ai tha se nuk mjafton vetëm shteti apo një institucion për rehabilitimin e personave të kthyer nga zonat e luftës, por duhen mekanizma të tërë dukë përfshirë edhe shoqërinë civile.

Hezitimi i shoqërisë për t`i pranuar të kthyerit nga Siria e Iraku u pa ende problem.

“Sipas një matje të opinionit publik, 55% e të anketuarve nuk i pranojnë dhe i shohin si rrezik të kthyerit nga Siria e Iraku”, tha Perteshi.

Si sukses u pa rikthimi i 100 kosovarëve nga Siria e Iraku në vitin e kaluar, ku 96 prej tyre ishin gra e fëmijë.

Teuta Avdimetaj nga QKSS shtoi se nga 100 vende të cilat merren me rikthimin e personave nga zonat e konfliktit, hezitojnë t’i rikthejnë ata.

“Në shumicën e rasteve vendet e Bashkimit Evropian i rikthejnë vetëm fëmijët, duke hezituar për gratë dhe burrat”, tha Avdimetaj.

Mes viteve 2012-2018 në zonat e luftës në Siri dhe Irak shkuan 403 kosovarë, nga të cilët 255 konsiderohen luftëtarë ndërsa pjesa tjetër fëmijë dhe gra.