Nënkryetari i Vitisë: Pas shfaqjes së radikalizmit, të gjithë personat e kyçur i kemi risocializuar, përveç njërit

Hasan Aliu, nënkryetar i Komunës së Vitisë, ka thënë se pas shfaqjes së dukurisë së radikalizmit kjo Komunë ka arritur t’i risocializojë të gjithë personat që kanë qenë të kyçur në këtë rrymë, me përjashtim të një personi që ka kaluar kufirin.

Këtë ai e ka thënë në emisionin “Kallxo Përnime” gjatë debatit “Ngecjet në rehabilitim”.

“Pas shfaqjes së dukurisë së radikalizmit, diku në vitin 2014 në komunën e Vitisë për shkak se ne kufizohemi edhe me Maqedoninë (e Veriut) edhe me Kaçanikun, dhe nga të gjithë personat të cilët kanë qenë të kyçur në një formë në këtë rrymë apo valë, të gjithë kemi arritur t’i risocializojmë, duke përjashtuar një i cili ka kaluar kufirin dhe jeton në pjesën e Maqedonisë. Ndërsa të tjerët kanë filluar të punojnë, punojnë nëpër shtëpitë e tyre”- ka thënë Aliu.

Tutje, nënkryetari i Vitisë ka përmendur edhe një rast konkret.

“Njëra bile e ka pasur edhe bashkëshortin në Siri që e ka humbur jetën dhe ajo është ndihmuar në forma të ndryshme duke filluar prej programit që ka qenë prej ministrisë dhe në përcjellje vazhdimisht tonën të cilën ka arritur të rehabilitohet dhe sot është në një gjendje ekonomike më të mirë dhe është tamam e adaptuar me rrethin shoqëror dhe e integruar në shoqëri dhe jeton pa probleme” – ka vijuar nënkryetari.