Qeverisë dhe Kuvendit i kërkohet urgjentisht ndryshimi i Ligjit për KPM-në

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal ka organizuar tryezë ku është diskutuar lidhur me piraterinë, portalet dhe IPTV-të që shpërndajnë lajme të rreme dhe propagandë, IPTV-të mundësinë e bllokimit të qasjes në internet të mediave pro agjendës ruse etj.

Gjatë këtij takimi është kërkuar që Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës të merren me ndryshimet e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Visar Hoti nga Agjencia e Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës AMPEK,  tha se Republika e Kosovës ka ngecje të madhe në përshtatje me dinamikën.

“Përhapja e dezinformatave nëpërmjet kanaleve elektronike të komunikimit është një problematikë me të cilën po ballafaqohet e tërë bota, duke e përfshi këtu edhe Republikën e Kosovës”, tha ai.

Hoti ka listuar disa propozime të ligjit të KPM-së.

“Kemi kërkuar vendosjen e dispozitave obligative për transparencën e pronësisë në mediat e licencuara. Identifikimi dhe analizimi i paraprake dhe sistematike të tregjeve mediale të drejtpërdrejta dhe të ndërlidhura, ngritjen dhe mbrojtjen e tyre nga konkurrenca jo-lejale”, tha ai.

Hoti shtoi se kanë kërkuar artikulimin e interesit nacional përmes kufizimit të operimit apo ndalimit të mediave që kanë origjinë të pa identifikueshme të financimit, që kanë seli në vendet jo miqësore të Kosovës apo me vendet që nuk kanë raporte diplomatike me Republikën e Kosovës”, tha ai.

Hoti ka kërkuar urgjentisht të merret Qeveria dhe Kuvendi me këtë çështje.

“Të veprojnë urgjentisht në miratimin e legjislacionit të ri mediatik sepse duke e ndihmuar ndërtimin e burimeve të besueshme informacione të pavarura nga qeveria, ju e ndihmoni zhvillimin e demokracisë dhe kontribuoni në ruajtjen e stabilitetit të standardeve të arta edhe të sigurisë publike edhe kombëtare”, tha ai.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, tha se pajtohet me parafolësin për urgjencën për veprime.

“Urgjenca e veprimeve nuk kufizohet vetëm në ndërhyrjet ligjore”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit Doarsa Kica, shtoi se në agjendën legjislative ligji është paraparë për muajin shtator-tetor të këtij viti.