Obiliqi - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Qeveria në detyrë miraton themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Kastrioti’ në Obiliq

Në mbledhjen e sotme të mbajtur nga Qeveria në detyrë e Kosovës, është miratuar vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Kastrioti’ në komunën e Obiliqit.

Themelimi i kësaj kompanie ishte paralajmëruar nga Ministria e Ambientit, ndërsa aksionar të vetëm do ta ketë Komunën e Obiliqit.

“Miratimin e kabintetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Kastrioti’, me 100% të aksioneve nga Komuna e Obiliqit. Me këtë vendim, Komuna e Obiliqit autorizohet që të veprojë në emër të aksionarit të vetëm në NPL ‘Kastrioti’ dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e ligjshme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kjo kompani do të merret kryesisht me shërbime të mirëmbajtjes së ambientit dhe natyrës si dhe shërbime të tjera në komunitet.

Idenë e themelimit të Kompanisë Publike Lokale “Kastrioti” Sh. A., e prezantoi kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili ditë më parë ishte pranishëm në takimin e Komisionit Ndërministror, ku foli për rëndësinë që ka krijimi i kësaj ndërmarrjeje për Komunën e Obiliqit dhe për komunitetin.

Ministria e Ambientit paralajmëron themelimin e Kompanisë Publike Lokale “Kastrioti”