Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Qeveria ndan nga 100 euro shtesë për pensionistët në muajin nëntor
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin për ndarjen e 100 eurove shtesë për rreth 200 mijë pensionistë në Kosovë.
Propozimin e ka paraqitur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Sipas Muratit ndarja e 30 milionë eurove do bëhet për rreth 200 mijë pensionistë në Kosovë po bëhet në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike por edhe për disa kategori të tjera të skemave pensionale.
“Ministria e Financave në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, propozon ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 30 milionë euro për të iu dal në ndihmë përfituesve të skemave pensionale. Me këtë vendim mundësohet mbështetja e kategorive më të cenueshme për të përballuar koston më të shtrenjtë të jetës. Me këtë vendim do të ndajmë nga 100 euro shtesë për secilin përfitues të pensioneve, nga skemat pensionale që paguan shteti, për aq sa pensioni nuk kalon 500 euro”, tha ai.
Murati shtoi se 300 mijë familje do të fitojnë nga kjo masë e pakos.
“Pothuajse secila familje do ta ndjej dorën e shtetit. Dot ë përfitojnë rreth 200 mijë pensionistë. Rreth 50 mijë familje që janë nga kategoritë të luftës, rreth 20 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe 30 mijë pensionistë të kategorive të tjera.”, tha ai.
“Me këtë mbështetje prej 100 euro, jemi në linjë me shtete shumë më të zhvilluara se ne. Ditë më parë, Franca aprovoi një masë të tillë mbështetje për 100 euro për familje për të përballë kostot e shpenzimet. Për 200 mijë pensionistë, kjo nënkupton pensionin e 13-të”, shtoi Murati.