Qeveria miraton Programin Kombëtar për zbatimin e MSA-së

Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim, 2022-2026.

Zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla tha se ky dokument ka për qëllim zbatimin e agjendës evropiane dhe për këtë vit do të ketë kosto mbi 46 milionë euro.

Gërvalla theksoi se programi përmban 236 masa.

“Ky program është dokumenti kryesor strategjik për zbatimin e agjendës evropiane. Programi përmban masa afatshkurta dhe objektiva afatmesme. Programi përmban 236 masa, 98 legjislative dhe 147 zbatuese. Ky dokument nuk ka vakum buxhetor, masat afatshkurta janë në pajtim me kornizën kohore për zbatimin e MSA-së. Hartimi i programit është udhëhequr nga departamentet e integrimit në ZKM në bashkëpunim me ministritë”, tha ajo.