Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria me deklaratë pas aksidentit të autobusit nga Kosova në Serbi

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se një autobus i linjës Prishtinë-Graz (Austri) sonte rreth orës 22:00 ka pësuar aksident në Kupci të Madh afër Krushevcit, në Serbi.

Qeveria tha se sipas informatave të para, janë 9 udhëtarë të lënduar në spital dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë.

“Kompania e udhëtimit ka nisur një autobus tjetër që t’i marrë udhëtarët që të vazhdojë udhëtimin për në Graz. Zyrtari ynë ndërlidhës është rrugës për në spitalin e Krushevcit, për t’i vizituar të lënduarit”, tha qeveria në deklaratë.

“Të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë”, shtoi ajo.

Qeveria tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident.

Më herët, një zyrtar i kompanisë “Zhitia Turs” ka thënë për KALLXO.com se aksidenti ka ndodhur si pasojë e vështirësive në rrugë shkaku I reshjeve të borës.

“Nuk ka viktima, por të lënduar ka. Disa nga udhëtarët kanë marrë lëndime të lehta trupore por jo diçka serioze”, kanë thënë nga kompania.

Tutje njoftuan se autobusi ka qenë duke udhëtuar nga Kosova për në Slloveni.

Mediat serbe njoftojnë se aksidenti ka ndodhur afër Krushevcit.