Qeveria e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Qeveria mbajti mbledhje elektronike, mori disa vendime

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar mbledhje elektronike në cilën janë marrë disa vendime.

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje janë plotësuar dhe ndryshuar tri vendime të Qeverisë të datës 16 shkurt, 30 gusht dhe 27 tetor 2023.

Po ashtu është thënë se është miratuar vendimi për kursime dhe ndarje buxhetore, e edhe për ndarjen për shtesat e njëhershme prej 100 euro për fëmijët nën moshën 16-vjeçare dhe pensionistmarrësit.

Është treguar se është miratuar vendimi i Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin humanitar, sipas kërkesës së Republikës së Shqipërisë, me qëllim të dhënies së ndihmës në kërkim-shpëtim.

Gjithashtu është aprovuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e sigurisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Në njoftim u tha se është aprovuar edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunimin policor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Çeke.