Jep dorëheqje anëtari i bordit të OShP-së

Anëtari i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Agon Ramadani ka dhënë dorëheqje pozita që mbante.

Ramadani, dorëheqjen nga “Gjykata e Tenderëve” e ka arsyetuar me punën e tij profesionale dhe ambiciet e tij.

“Shfrytëzoj rastin të ju falënderoj për bashkëpunimin, qasjen dhe gjithë punën e realizuar, kjo më ka dhënë shumë në kuptimin e përvojës dhe profesionalizmit dhe shpresoj që kjo sadopak ka qenë reciproke” – shkruan mes tjerash Ramadani në letrën drejtuar kryetares së bordit, Vjosa Gradina-Mexhuani.

Letra e dorëheqjes së Agon Ramadanit nga pozita e anëtarit të bordit të OShP-së

Kuvendi i Kosovës, më 13 korrik të këtij viti, me 58 vota për kishte shkarkuar anëtaren e bordit të OSHP-së, Kimete Gashin.

Në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së.

Më 10 maj 2023, Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

Qeveria nuk kishte dhënë një arsyetim konkret për kërkesën për shkarkimin vetëm të saj, edhe pse në panelin shqyrtues në të cilin ishte marrë vendimi për kthimin në rivlerësim të tenderit për insulina, kanë qenë edhe dy anëtarë të tjerë të bordit të OSHP-së.

OSHP-ja ishte pa bord për më shumë një vit, kur u funksionalizua tek më 23 qershor 2022.

Në bordin e OSHP-së u patën zgjedh Nita Bejta dhe Agon Ramadani, dy prej kandidatëve që Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit përkundër faktit që nuk kishin aplikuar fare në konkursin për bordin e OSHP-së.

Përveç tyre, në bordin e OSHP-së u patën emëruar edhe Kimete Gashi dhe Vedat Poterqoi. Vjosa Mexhuani Gradinaj është zgjedhur kryetare e bordit të OSHP-së. Mexhuani ishte kandidatja më e poentuar nga ekspertët britanikë në konkursin e parë, por i cili kishte dështuar.

Funksionalizohet OSHP-ja, dy kandidatë që nuk kishin aplikuar në konkurs bëhen anëtarë të bordit