Pamje nga takimi në Berlin, maj 2022

Qeveria e Kosovës: Dështon takimi Kurti-Vuçiq i paralajmëruar të mbahej në korrik

Takimi i paralajmëruar në korrik mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka dështuar.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për KALLXO.com zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Ky takim ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë nga ana e Serbisë për një takim të tillë, e shprehur kjo në njërën anë përmes presioneve për ndryshimin e agjendës së takimit trilateral në nivel kryenegociatorësh dhe në anën tjetër arsyetimit se takimi nuk mund të mbahet shkaku i vizitës së President të Egjiptit në Serbi”, tha ai.

Kryeziu tha kryeministri Kurti vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për një takim të nivelit të lartë, duke theksuar se zëvendëskryeministri Bislimi gjatë javës së kaluar ka qëndruar në Bruksel që të përgatitet terreni për një takim në nivel të krerëve të shteti.

“Këto veprime të Serbisë janë në vazhdën e veprimeve që qëllim kanë sabotimin e procesit të dialogut. Ndërkaq që kryeministri Kurti përveç gatishmërisë për takime, ai tashmë ka shprehur edhe gatishmërinë dhe interesimin që sa më parë të fillojnë diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, tha ai.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga zyra e Bashkimit Evropian, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.

Për një vit, Brukseli nuk ka arritur që të jetë nikoqir i një takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

19 korriku i vitit të kaluar ka qenë hera e fundit kur në Bruksel është mbajtur takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takim në Bruksel nuk pati, por në Berlin, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak u përkujdes që të organizonte një darkë me kryeministrin kosovar dhe presidentin serb.

Deri më tani në Bruksel në nivel kryenegociatorësh mes Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar disa takime, ndërsa në nivel të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, janë zhvilluar vetëm dy takime.

Takimi i parë, palët nuk u pajtuan për asgjë

Takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq është më 15 qershor të vitit të kaluar.

Kryeministri Kurti pas këtij takimi ka thënë që për palën serbe ka pasur 4 propozime, 3 nga të cilat janë refuzuar.

Njëra ndër to ishte edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën dhe “në këtë mënyrë t’i kontribuojmë paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”.

Po ashtu, Kurti tha se gjatë takimi ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, është çështje “që nuk pret”.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik (shefi) i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës po ashtu tha se ka propozuar që të pas njohjes së ndërsjellë, sa i përket pakicave, të aplikohet parimi i reciprocitetit bilateral, duke u krijuar në Kosovë Këshill nacional për serbët, ashtu siç e kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Po ashtu ai ka prezantuar edhe një ide për ridizajnimin e marrëveshjes së CEFA-s, por sipas tij tri propozimet janë refuzuar nga delegacioni i Serbisë, ndërkaq për CEFTA-n nuk kanë marrë përgjigje.

Ndërkaq, pas takimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se kryeministri Kurti e ka pyetur nëse do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

“Njeriu erdhi që të mos pajtohej për asgjë. Njeriu erdhi që të thotë ‘erdha të të pyes se kur do ta pranosh pavarësinë e Kosovës’. Përgjigja ime ishte kurrë. Pastaj ai shpërtheu”, ka thënë Vuçiq.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se takimi nuk ka qenë i lehtë.

“Të dy liderët kanë pasur deklarata të sinqerta rreth asaj se çfarë duan palët nga dialogu. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak pas takimit.

Takimi i dytë, pa ndonjë rezultat

Takimi i dytë, u mbajt më 19 korrik, ky takim nuk ishte hiç më pak i lehtë sesa ai i pari, ani pse zgjati më pak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe në këtë takim kishte kërkuar nga pala serbe nënshkrimin e një deklarate të paqes.

“Unë propozova një marrëveshje të shkruar me 6 nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua, pra atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar që të kemi një deklaratë të paqes e kam përgatitur në mënyrë në një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar”, ka thënë Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takimin e dytë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pati quajtur ‘të keq’.

“Njerëzit në BE nuk besojnë në ato që po dëgjojnë. Burri është kthyer në shekullin e 19-të. Siç mund ta shihni, unë jam i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të bëjmë”, tha ai më tej për Kurtin.

E edhe pas këtij takimi, përfaqësuesi i BE-së, Mirsolav Lajçak tha që takimi nuk ishte i lehtë, e u shënua përparim i vogël me rezultatin që dialogu të vazhdoj.

Kosova dhe Serbia dialogojnë që nga vitit 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në kuadër të këtij procesi i cili në fillim është quajtur teknik, janë arritur mbi 33 marrëveshje.

Marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel është ajo për energjinë, e arritur më 21 qershor të këtij viti.

Gjysma e dytë e korrikut, mundësia për takimin e radhës Kurti-Vuçiq