Pamje nga takimi në Berlin, maj 2022

Gjysma e dytë e korrikut, mundësia për takimin e radhës Kurti-Vuçiq

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se gjysma e dytë e korrikut mund të jetë koha kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë takimin e tretë në Bruksel, ndonëse kanë theksuar se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë.

Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se mbajtja e një takimi të tillë do të varet nga Brukseli.

“Ende nuk ka ftesa zyrtare. Nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Kjo varet nga ndërmjetësuesit në Bruksel, z.Borrell dhe z.Lajçak”, ka thënë ajo.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në zyrën e Bashkimit Evropian për të marë ndonjë datë, mirëpo në një përgjigje ata nuk kanë dhënë detaje.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të Dialogut nëse dhe kur është e nevojshme”, ka thënë për KALLXO.com Paloma Hall zëdhënëse për Punë të Jashtme dhe Siguri.

Një takim i tretë Kurti- Vuçiq është paralajmëruar tash e disa javë, si nga Bashkimi Evopian ashtu edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Mirëpo, dje presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq mohoi se do të ketë një takim të nivelit të lartë.

“Askush nuk më ka pyetur për bisedime. Unë nuk ik nga asnjë takim. Kryesisht ai [Kurti] ka ikur nga takimet”, ka thënë Vuçiq.

Më 16 maj , Josep Borrell, shef i diplomacisë së Bashkimit Evropian ka thënë se ky takim do të ndodhë para fillimit të verës.

“Ne shpresojmë që para verës ne do të jemi në gjendje të mbajmë një tjetër takim mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë”, kishte thënë Borrell.

Ndërkaq, në qershor, kryeministri i vendit, Albin Kurti pati thënë se do ta trajtojë pozitivisht një ftesë që do të vinte nga Borrelli.

“Unë nuk kam marrë ftesë. Kur ta kem një ftesë të tillë, patjetër që do ta trajtoj me përkushtimin të madh dhe padyshim me një qasje pozitive, por nuk ka një ftesë të tillë ende”, ka thënë Kurti më 1 qershor.

Në fund të qershorit, Kosovën e vizitoi emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili po ashtu paralajmëroi një takim të korrikut.

“Jemi duke punuar t’i takojmë të dy udhëheqësit kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq. Do të dëshiroja që kjo të ndodh para pushimeve verore në Bruksel po jemi duke punuar që të krijojmë mundësitë për këtë”, ka thënë Lajçak më 29 qershor në Prishtinë.

E pasi udhëtoi për në Beograd, po atë ditë, Qeveria e Kosovës mori vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Përveç kësaj qeveria mori vendi, që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Pas këtij vendimi, Lajçak tha se në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është krijuar një “situatë e re” që i ka ndryshuar “planet dhe temat” e vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi.

Pas këtij vendimi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aktualisht, nuk ka.

Të hënën edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në korrik pret takim Kurti-Vuçiq.

“Procesi po vazhdon, ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt, besoj gjatë korrikut – por, kjo varet nga lehtësuesit evropianë – ne do të kemi po ashtu një takim në nivel të liderëve”, ka thënë presidentja Osmani.

Deri më tani në Bruksel në nivel kryenegociatorësh mes Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar disa takime, ndërsa në nivel të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq janë zhvilluar vetëm dy takime.

Takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq është më 15 qershor të vitit të kaluar.

Në këtë takim kryeministri kosovar i kishte dhënë 4 propozime për palën serbe, ku 3 nga to ishin refuzuar. Ndërsa takimi i dytë ndodhi më 19 korrik të vitit të kaluar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takimin e dytë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pati quajtur “të keq”.

“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot isha i bindur se ishte e mundur. Ne morëm propozime të BE që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë dhe Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që propozoi BE”, ka thënë ai.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.