Qendrat e vaksinimit ku mbaheshin votimet, MSh kërkon nga KQZ ndërrimin e 30 prej tyre

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë ju ka dërguar letër në të cilën listohen qendrat ku po zhvillohet vaksinimi kundër COVID-19, të cilat më parë kanë shërbyer si vendvotime në zgjedhje.

Burim Ahmetaj nga Sekretariati i KQZ-së, gjatë mbledhjes së sotme tha se MSH-ja ka kërkuar që të gjenden lokacione të tjera, sepse në objektet e listuara është shumë e rëndësishme vazhdimi i vaksinimit.

“Kemi marrë nga Ministria e Shëndetësisë një letër ku i është drejtuar KQZ-së me listën e 30 lokacioneve të cilat janë qendra të vaksinimit. MSH-ja ka kërkuar nga KQZ-ja që për organizimin e zgjedhjeve të gjenden lokacione të tjera, sepse në objektet sipas listës së MSH-së është jetik procesi i vaksinimit dhe imunizimit të popullsisë. Është investuar shumë për funksionalizimin e këtyre qendrave të vaksinimit”, ka thënë Ahmetaj gjatë mbledhjes së KQZ-së.

Ai ka bërë të ditur se deri më tani  janë bërë 3,916 kërkesa për ndërrim të vendvotimit në tërë Kosovën.

“Mbledhjen e ardhshme do të ju japim detaje për secilën kërkesë për ndërrim të vendvotimit”, ka thënë Ahmetaj.

Me 17 tetor në Kosovë pritet të mbahen zgjedhjet lokale.