Foto: Facebook/KFOR

Qehaja: Të rritet numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj parashtroi së fundmi për herë të dytë kërkesën që Kosova të pranohet në NATO dhe ky organ i sigurisë të ndërtojë një bazë të re ushtarake në territorin e vendit tonë.

Menjëherë pas kësaj kërkese, sot reagoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se kërkesa nuk është e re.

Krejt këto zhvillime vijnë pasi më 24 shkurt Rusia nisi luftën në Ukrainë.

Në një bisedë për KALLXO.com, Ramadan Qehaja, ekspert i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë ka thënë se është i mirëseardhur ndërtimi i një baze të re ushtarake në Kosovë.

Sipas tij, edhe numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë duhet të rritet.

“Unë pajtohem me ministrin Mehaj që ka kërkuar një bazë ushtarake këtu, në rrafshnaltën e Kosovës sepse e ka një pozitë shumë të volitshme Kosova gjeostrategjike prej nga mund të veprohet në disa drejtime”, tha ai.

“Ne e dimë që amerikanët janë prezent këtu por janë në një forcë simbolike në “Bondsteel” në kuadër të KFOR-it. Nëse ndërtohet një bazë e re ushtarake, sikur ka filluar të ndërtohet një e tillë në Shqipëri, kjo to të ishte shumë domethënëse për ne dhe këto kishin me qenë përgatitjet tona shumë të mira”, vlerëson eksperti i çështjeve ushtarake.

Kërkesa e ministrit Mehaj, sipas Qehajës, duhet të drejtohet direkt tek NATO.

“Në këtë situatë, ndoshta duhet të kërkohet, jo nga komandanti i KFOR-it këtu në Kosovë por nga NATO-ja, këshilli veri-atlantik, nga lartë të kërkohet që njësitet e KFOR-it këtu të përforcohen në numër më të madh dhe të jenë në një gadishmëri sepse siç ka thënë edhe z.Borrell, ne presim që një tentativë e destabilizimit të Ballkanit do të kemi, parasëgjithash ndaj Kosovës, ndaj Republika Serpkas për të ju bashkangjitur Serbisë dhe ndaj Malit të Zi në mënyrë që forcat serbo-ruse të kalojnë në detin Adriatik dhe kështu ta bëjnë një përforcim dhe kështu destabilizojnë edhe më tepër vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Qehaja.

Eksperti i çështjeve të sigurisë ka thënë se Rusia po bën një luftë të padrejtë. Sipas tij, kjo luftë pritet të zgjas.

“Rusia po e bën një luftë të padrejtë po vepron në fakt kundër integritetit territorial të një shteti të pavarur dhe demokratik siç është Ukraina. Rusia i ka thyer të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare për pavarësi të një shteti sovran”, thotë ai.

“Forcat ruse e kanë përdorur një taktikë të sulmit të rrufeshëm dhe mund të ju them që ka arrit të shkaktojë humbje të popullatës civile, këtu mendoj gra, fëmijë e pleq dhe kështu ka krijuar edhe refugjatë të shumtë të cilët janë në largim e sipër nga territori i Ukrainës”, ka vlerësuar Qehaja.

Por, sipas tij, Ukraina deri më tani ka treguar mbrojtje të suksesshme dhe Putin ka hasur në një terren të cilin nuk e kishte parashikuar.

“Rusia dhe Putin me deklarimet e tij, tregon që ai nuk do të zmbrapset në qëllimet e tij të zaptimit të këtij shteti, pra ta bllokoj që Ukraina të anëtarësohet në NATO dhe synon ta heq këtë udhëheqsi e cila është pro-evropiane dhe pro-demokratike. Por, Putinit nuk i ka shkruar puna aq mbarë siç ka menduar se do t’i shkoi”, ka thënë ai.

Eksperti i çështjeve të sigurisë tregon se cili është rreziku për Kosovën nga lufta në Ukrainë