Barikadat e vendosura në fshatin Rudar, Komuna e Zveçanit, Foto: KALLXO.com

Që nga mbrëmë janë lëshuar mbi 1,500 dokumente të hyrje-daljeve për qytetarët serbë

Mbi 1 mijë e 500 dokumente të hyrje-daljeve për qytetarët serbë janë lëshuar në pikat kufitare me Serbinë, përveç në Bërnjak dhe Jarinjë për shkak të bllokimit të rrugëve.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këto dokumente janë lëshuar për 12 orë derisa është duke vazhduar ende lëshimi i tyre.

“Përveç në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të zhvillimeve të shkaktuara nga strukturat ilegale serbe, në të gjitha pikat tjera kufitare në hyrje të Republikës së Kosovës po vazhdon lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje. Deri më tash, janë lëshuar 1501 dokumente në pikat kufitare si në vijim: 295 në Merdarë, 30 në Mutivodë, 607 në Dheun e Bardhë, 396 në Muqibabë, 21 në Stanqiq, 31 në Hani të Elezit, 63 në Vërmicë, 55 në Kullë Pejë, 3 në Qafë Morinë”, ka shkruar Sveçla.

Gjatë ditës së djeshme, një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate mbrëmë, tha se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

VIDEO – Largohen barrikadat në Rudar të Leposaviqit