Putin 'kërcënon' se mund ta prishë marrëveshjen për transportin e grurit me Ukrainën

Ukraina i ka rimarrë disa vendbanime në rajonin verilindor të Kharkiv, si pjesë e një kundërsulmi të papritur nga ana e forcave ukrainase. Një zyrtar që përfaqëson Republikën Popullore të Donetskut të kontrolluar nga Rusia tha të martën se forcat ukrainase e “rrethuan” Balakliian, një qytet lindor i vendosur midis Kharkivit dhe Iziumit të pushtuar nga Rusia.

Inteligjenca amerikane thotë se forcat ukrainase po shënojnë “progres të ngadaltë, por domethënës” në fushën e betejës. Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me seli në Uashington, raportoi të mërkurën se forcat ukrainase me siguri e kanë futur nën kontroll rajonin Verbivka, më pak se 3.2 km në veri-perëndim të Balakliias, të martën, duke cituar pamje gjeo-vendosëse të postuara nga ushtarët ukrainas.

Granatimet kanë rifilluar pranë termocentralit bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia të mërkurën. Zyrtarët ukrainas i akuzuan forcat ruse se qëlluan mbi qytetin e Nikopolit, përballë termocentralit, dhe në Enerhodar, ku ndodhet termocentrali. 

OKB-ja e ka akuzuar Moskën se po i detyron ukrainasit në kampe paraburgimi dhe madje edhe burgje nëpërmjet një programi “filtrimi” të drejtuar nga Kremlini dhe largimin e fëmijëve nga zona e luftës për t’ua dorëzuar prindërve birësues brenda Rusisë. Ilze Brands Kehris, ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së për të drejtat e njeriut e bëri i tha këtë këshillit të sigurisë. Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, i tha këshillit se vlerësimet tregojnë se autoritetet “kanë marrë në pyetje, arrestuar dhe dëbuar me forcë” midis 900,000 dhe 1.6 milionë ukrainas në Rusi që nga fundi i shkurtit, duke u përpjekur “për t’u përgatitur për një tentativë aneksimi”.

Trupi i një punonjësi britanik të ndihmës, i cili u kap nga përfaqësuesit rusë në prill, i është dorëzuar Ukrainës me “shenja të mundshme të torturës së papërshkrueshme”, sipas ministrit të Jashtëm të vendit, Dmytro Kuleba. Paul Urey, 45 vjeçar, nga ëarrington, Cheshire, u kap së bashku me një tjetër britanik, Dylan Healey. Dy burrat u akuzuan për “veprimtari mercenare” nga Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut, por në korrik autoritetet ruse të përfaqësuesve njoftuan se Urey kishte vdekur si pasojë e “sëmundjes dhe stresit”. Kuleba tha se trupi i Urey ishte kthyer, duke treguar shenja të mundshme torture.

Vladimir Putin ka “kërcënuar” se do ta prishë një marrëveshje të brishtë të grurit me Ukrainën që i lejon eksportet nga Deti i Zi. Gjatë një fjalimi luftarak në një konferencë ekonomike në Vladivostok, Putin tha se do të flasë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për “kufizimin e destinacioneve për eksportin e grurit”, duke pretenduar se vetëm dy nga 87 anijet që janë larguar nga Ukraina me grurë, kanë shkuar në vendet në zhvillim. Të dhënat nga OKB-ja treguan se ky pretendim është i rremë.

Putini ka kërcënuar gjithashtu se do t’i ndërpresë të gjitha dërgesat e gazit, naftës dhe qymyrit në Evropë nëse vendosin një çmim tavan për importet ruse të energjisë.

“A do të ketë vendime politike që bien ndesh me kontratat? Po, ne thjesht nuk do t’i përmbushim ato. Ne nuk do të ofrojmë asgjë nëse bie ndesh me interesat tona,” tha ai, sipas një përkthimi të Reuters të komenteve të tij. “Ne nuk do të furnizojmë gaz, naftë, qymyr, naftë për ngrohje – nuk do të furnizojmë asgjë.” Duke kujtuar një përrallë ruse, ai tha se evropianët mund të “ngrijnë si bishti i ujkut”.

Putin deklaroi se Rusia nuk ka “humbur asgjë” me nisjen e një lufte kundër Ukrainës gjatë një fjalimi luftarak dhe sfidues në Forumin Ekonomik Lindor Rus të mërkurën. “Ne nuk kemi humbur asgjë dhe nuk do të humbasim asgjë,” tha ai kur u pyet për koston e pushtimit. “Fitimi kryesor është forcimi i sovranitetit tonë”. /The Guardian