Putin: Asnjë armik nuk ka shanse të mbijetojë në rast se Rusia kryen sulm hakmarrës bërthamor

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se përplasja e avionit që vrau kreun e Wagner-it, Yevgeny Prigozhin në gusht, ishte shkaktuar nga granatat e dorës që shpërthyen brenda avionit, jo nga një sulm me raketë nga jashtë.

“Fragmente granatash dore u gjetën në trupat e atyre që u vranë në përplasje” – deklaroi Putin në një takim të Klubit Diskutues Valdai në Soçi.

Nuk kishte asnjë efekt të jashtëm në aeroplan, tha ai, duke shtuar se është një “fakt i dëshmuar”, nga një hetim i kryer nga Komiteti Hetimor i Rusisë.

Duke vënë në dukje se drogë është gjetur në shtëpinë e Prigozhin dhe zyrat e Wagner, ai tha se nuk kishte asnjë ekspertizë për alkool apo drogë në gjakun e të ndjerit.

Ai theksoi se nuk ka konsensus nëse ka nevojë për grupe të ngjashme me Wagner në Rusi, por vuri në dukje se disa mijëra luftëtarë nga Wagner kanë nënshkruar një kontratë me Forcat e Armatosura Ruse.

“Ata mund të marrin pjesë në operacione ushtarake nëse duan” – deklaroi Putin.

Prigozhin vdiq në një aksident avioni më 23 gusht, dy muaj pasi Wagner tentoi një rebelim jetëshkurtër kundër qeverisë ruse.

Wagner ka pasur një profil ndërkombëtar në rritje vitet e fundit përmes vendosjes së tij në Afrikë, si dhe në Ukrainë, ku Moska zyrtare filloi pushtimin ushtarak në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Putin paralajmëroi gjithashtu se asnjë armik nuk ka ndonjë shans për të mbijetuar nëse Rusia fillon një sulm bërthamor hakmarrës pasi potenciali i saj është pakrahasueshëm më i madh.

“Deri më sot, nuk do të ketë asnjë shans që agresori të mbijetojë në rast të përgjigjes sonë” – tha ai.

“Unë nuk e shoh nevojën për ta ndryshuar këtë. Asnjë person i arsyeshëm nuk do të mendonte të përdorte armë bërthamore kundër Rusisë” – ka thënë Putin.

Ai tha se doktrina ushtarake ruse ofron dy arsye për përdorimin e armëve bërthamore: një përgjigje ndaj një rakete të lëshuar në territorin rus dhe nëse ekzistenca e shtetit kërcënohet./Anadolu Ajansi

Përgatiti: Nuhi Shala