Tani është koha që liderët e BE-së të arrijnë një marrëveshje – me ose pa liderin hungarez

Bashkimi Evropian synon të shfaqë mbështetje të fortë për Ukrainën përpara përvjetorit të tretë të pushtimit të Rusisë. Ky është mesazhi që BE dëshiron t’i dërgojë Kievit këtë javë. Njëkohësisht BE dëshiron t’i dërgojë të njëjtin mesazh Moskës, madje edhe ish presidentit amerikan, Donald Trump.

BE planifikon t’i sigurojë Kievit 50 miliardë euro, të rrisë dërgesat e armëve, të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë dhe t’i përdorë fitimet nga asetet e ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës. Udhëheqësit e BE-së janë të vendosur të miratojnë një marrëveshje për paketën e ndihmës, mirëpo janë shfaqur shqetësime rreth kundërshtimit të mundshëm nga kryeministri hungarez Viktor Orbán. Orbán e kundërshton një zgjidhje ushtarake dhe argumenton se dërgimi i më shumë parave dhe armëve në Kiev mund ta përshkallëzojë konfliktin. BE-ja është nën presion për të vepruar me shpejtësi, veçanërisht me pasigurinë në lidhje me mbështetjen financiare të Uashingtonit për Ukrainën dhe mundësinë që Evropa të lihet të shmangë Rusinë pa mbështetjen e SHBA-së nëse ish presidenti amerikan Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Negociatat me Orban deri më tani kanë qenë sfiduese, duke e rritur nervozizmin mes diplomatëve dhe zyrtarëve përpara takimit të liderëve të BE-së në Bruksel.

Pas dështimit për ta arritur një marrëveshje në muajin dhjetor, liderët e BE-së po e shqyrtojnë një Plan B për të punuar rreth kundërshtimeve të kryeministrit hungarez Viktor Orbán duke siguruar mbështetjen e 26 nga 27 vende si për buxhetin afatgjatë të BE-së ashtu edhe për paketën e ndihmës për Ukrainën. 

Kjo alternativë shihet si më pak ideale, duke krijuar kompleksitete teknike dhe duke e minuar unitetin e BE-së në Ukrainë. Ka shqetësime se një masë e tillë mund të rrisë zhgënjimin me Orbanin, duke çuar ndoshta në diskutime rreth heqjes së të drejtave të votimit të Hungarisë në BE. 

Pikëpyetjet shfaqen në lidhje me motivet e vërteta të Orbanit, qofshin të nxitura nga konsiderata financiare apo qëllime më të mëdha politike, që mund të përputhen me interesat e Rusisë. Zgjedhjet e ardhshme të BE-së në qershor, me parashikimet e rritjes së mbështetjes për partitë euroskeptike, e shtojnë një shtresë tjetër kompleksiteti, duke ngritur shqetësime se Parlamenti Evropian mund të bëhet më miqësor ndaj Rusisë. Situata e nënvizon rëndësinë e unitetit midis 27 vendeve anëtare në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen kritike të mbështetjes së Ukrainës.

BE-ja po përballet me sfida të shumta në mbështetjen e Ukrainës, duke përfshirë progresin e ngadaltë në përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për rindërtimin e Ukrainës së pasluftës. Vendet e BE-së kanë rënë dakord vetëm t’i transferojnë fitimet e këtyre aseteve në një llogari të veçantë, në kundërshtim me shtytjen e qeverisë amerikane për t’i konfiskuar fitimet dhe asetet. 

Diskutimet për sanksionet e reja kundër Rusisë do të fillojnë në Bruksel, mirëpo pritshmëritë për masa thelbësore janë të ulëta për shkak të kufizimeve të mëparshme për diamantet ruse. 

Lufta në Ukrainë i ka ekspozuar kapacitetet e kufizuara të prodhimit të armëve të BE-së dhe kthimi i mundshëm i Trump ushtron presion mbi Evropën për ta rritur aftësitë e mbrojtjes, veçanërisht në dritën e premtimit të tij për të negociuar një “marrëveshje paqeje” me Putinin mbi Ukrainën dhe kundërshtimet e BE-së. 

Udhëheqësit evropianë pritet ta diskutojnë gjithashtu ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe Strukturën Evropiane të Paqes, me një shtesë të propozuar prej 5 miliardë eurosh dhe planet për prokurimin e përbashkët evropian të armëve. 

Themelimi i Fondit të Ndihmës për Ukrainën, i zbutur nga Hungaria, kërkon miratim të mëtejshëm nga të gjitha kryeqytetet evropiane. Presioni gjeopolitik mbi Evropën është i dukshëm, me dyshime për aftësinë e BE-së për t’i përmbushur premtimet e saj dhe shqetësimet se nga një BE e përçarë do të përfitonte Rusia./Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala