Presidenti amerikan Biden e quan presidentin rus Putin një "bir k* të çmendur" 

Presidenti Joe Biden i është referuar presidentit rus Vladimir Putin si një “bir k….. i çmendur” gjatë një ngjarje për mbledhjen e fondeve në San Francisko, duke e kritikuar gjithashtu ish-presidentin Donald Trump që e krahasoi veten me liderin e ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny. 

Vërejtjet e Biden erdhën në kontekstin e diskutimit të ndryshimit të klimës, ku ai e vuri theksin tek kërcënimi global që vjen nga konflikti bërthamor dhe sfidat mjedisore.

Duke iu drejtuar donatorëve në një rezidencë private në San Francisko, Biden shprehu habinë për komentet e fundit të Trump, i cili e krahasoi vdekjen e dyshimtë të Navalny në burg me problemet e tij ligjore në Shtetet e Bashkuara. 

Biden vuri në pikëpyetje bazën e krahasimeve të tilla, duke e nënvizuar portretizimin e Trumpit si viktimë e persekutimit të ngjashëm me gjendjen e vështirë të Navalny.

Tendenca e Biden për të folur hapur në ngjarjet e mbledhjes së fondeve është vënë re, me komentet e fundit që prekin tema të ndryshme duke përfshirë presidentin kinez, Partinë Republikane dhe veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza.

Për më tepër, kritikat e Bidenit ndaj Putinit janë përshkallëzuar si në deklaratat zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe gjatë fushatës. 

Pas vdekjes së Navalny, Biden e fajësoi drejtpërdrejt Putinin dhe bashkëpunëtorët e tij, duke ia atribuar përgjegjësinë për vdekjen e liderit të opozitës veprimeve të tyre. Ndërkohë, Kremlini zyrtar e ka mohuar çdo përfshirje në vdekjen e Navalny dhe i ka hedhur poshtë akuzat perëndimore që implikojnë Putinin.

Komentet e Bidenit në mbledhjen e fondeve e nënvizojnë stilin e tij të çiltër dhe gatishmërinë e tij për t’u përballur drejtpërdrejt me Putinin dhe për ta kritikuar ish-presidentin Trump, madje edhe në mjedise joformale. 

Këto komente e pasqyrojnë përkushtimin e Bidenit për t’i adresuar sfidat globale, të tilla si ndryshimi klimatik, duke naviguar njëkohësisht edhe nëpër marrëdhëniet komplekse ndërkombëtare./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala