Punimet afër shkollës në Mitrovicë, rrezik për nxënësit - FOTO

Prindërit po ballafaqohen çdo ditë me rrezik për fëmijët e tyre për shkak të punimeve që janë duke vazhduar në afërsi të shkollave “Eqrem Qabej” dhe “Nonda Bulka”, shkolla këto që e ndajnë të njëjtin objekt.

Numër i i madh i veturave të cilat parkohen në një hapësirë të ngushtë, fëmijët të cilët lëvizin në afërsi të vendit ku zhvillohen punimet, mbishkrimet “rrezik”, janë prezente në lagjen “Lah Nimani” në Mitrovicë.

XH. Z., nëna e cila sjell fëmijët në këtë shkollë, thotë se këto punime janë bërë shkas që fëmiu i saj të rrëzohet.

“Duke pasur parasysh se në shtator ka fillu edhe mësimi, çdo ditë prej të hënës deri të premten e frekuentojna këtë rrugë dhe ka shumë vështirësi momentalisht. Mendoj se do të vazhdojnë edhe dimrit, edhe dimrit tash s’po besoj që kryhet shpejt, besoj që vazhdon. Ka vështirësi, javën e kalume edhe fmia m’u ka rrëzu. Nuk ka siguri”, ka thënë ajo.

Për prindin, Gazmend Bekteshi, këto punime është dashur të përfundojnë gjatë verës. “Katastrof qe ni vjet e diçka, llom gjendja! Mas pari për kerr s’ki ku e len, kur po bjen shi po bohet si bazen. Edhe qe dy vjet a sa po zgat kjo. Dy muj sa ke pushimi kanë pushu, tash kishe po punojna”, ka thënë Bekteshi.

Murat Hajrizi i cili sjell nipërtit në shkollë, thotë se has pengesa.

“Vështirë, t’ish kanë e rregullume shumë ma mirë. Megjithëse punët pak gjatë po shkojnë po duhet me i përballu. Unë nipat gjithmonë i sjelli me biçikletë, ka pengesa”, përfundoi ai.

Ndërsa Granit Tmava, Drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë duke qenë në dijeni për këto rreziqe, thotë se arsyeja e zvarritjes së këtyre punimeve ka ndodhur për shkak se është dashur të fillohet nga zero.

“Po shumë e vërtetë. Për shkak se aty nuk ka pas bazë të infrastruktuës fare, jemi duke punu prej fillimit, prej zeros. Gjysma e rrugës ka qenë rrugë ekzistuese, por me ndërtimin e banimeve të reja, të ndërtesave banesore, gjysma tjetër e rrugës nuk ka pasur kurrfarë baze të infrastrukturës. Ne kemi fillu në total ku do të bëhet hapja e kësaj rruge”, ka thënë Tmava për KALLXO.com.

Tutje ai ka dhënë afatin për përfundimin e këtyre e punimeve si dhe investimet që do të bëhen në këtë zonë.

“Kanë fillu punimet këtë vit dhe pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm. Pjesa më e madhe e punës veç është përfundu. Po flasim për sistemin kabllor nëntokësor, për shtrirjen e gypave të sistemit kabllor nëntokësorë, për rrjetin e kanalizmit, rrjetin atmosferik, ndërsa tash jemi duke rregullu rregullimin e trakesë së rrugës ku do të bëhet edhe definimi se kah do të jetë rruga, kah do të jetë trotuari për këmbësorë, hapësira gjelbëruese dhe shtegu për biçikleta”, përfundoi ai.