Testi i Maturës 2019 - Foto: KALLXO.com

Publikohen rezultatet e Provimit të Maturës, 73.3 për qind e nxënësve e kanë kaluar provimin

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar 18,285 mijë nxënës të klasave të 12-ta në të gjithë vendin.

Sipas Ministrisë këtë vit, Provimin e Maturës e kanë kaluar 13,342 nxënës apo 73.3% e maturantëve.

Arritshmëria mesatare në Gjuhë amtare është 58.8 për qind, në Gjuhë angleze 54.4 për qind, në Matematikë 41.1 për qind dhe në lëndë zgjedhore 47.3 për qind.

“Rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës tashmë janë shpërndarë në shkolla. Provimi i mbajtur më 22 qershor është organizuar në 151 qendra të testimit. Në këtë proces kanë qenë të angazhuar 180 kryetarë të komisioneve të caktuar nga MASHTI, 1500 administrues dhe 1500 mbikëqyrës nga Parlamenti i studentëve të UP-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit më 01.07.2024.

MASHTI njoftoi se gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim, e për këtë shkak të kësaj janë përjashtuar 79 nxënës.

Afati i ankesave është deri më 05.07.2024, e rezultati i ankesave do të publikohet tri ditë më vonë.

“Të gjithë kandidatët që nuk kanë arritur kriterin prej 40% mund të hyjnë në afatin e gushtit i cili organizohet me 31.08.2024. MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e mbajtjes së Provimit Shtetëror të Maturës për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre” – vazhdon njoftimi.

Për herë të parë këtë vit, maturantët kanë aplikuar online përmes platformës e-Kosova për ta paraqitur provimin e maturës. Kjo është mënyra me të cilën Ministria e Arsimit i ka sistemuar nxënësit në klasë të ndryshme për provimin e maturës.

Aplikimi për ta paraqitur provimin e maturës në platformën e-Kosova është lansuar më 27.05.2024.

Në provimin e maturës, nxënësit kanë pasur katër lëndë, tri prej tyre janë: Gjuha shqipe, Matematika dhe Gjuhë angleze. Kurse, lënda e katërt është zgjedhur nga vet nxënësi, e që përfshin njërën nga lëndët e tjera të mbetura.

Provimi i maturës është mbajtur më 22.06.2024, kurse afati i dytë për ata që nuk e kanë kaluar testin në afatin e parë është më 31.08.2024.