Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit do t’i ndajë 15 grante nga 10 mijë euro për profesorët që aplikojnë hulumtimin në punë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se do t’i mbështesin me 15 grante në vlerë 10 mijë euro, profesorët e universiteteve publike në Kosovë, të cilët aplikojnë hulumtimin në procesin e tyre të punës.

Për këtë mbështetje, ministrja Nagavci ka njoftuar se kanë hapur aplikimin për grantet që do t’u ndahen profesorëve. 

Sipas ministres Nagavci, Ministria e Arsimit është e përkushtuar që ta rrisë prodhimin shkencor në Kosovë dhe për këtë ajo shprehet se kanë marrë një varg masash e veprimesh, duke synuar që ta bëjnë hulumtimin pjesë të kulturës së punës në universitetet publike.

“Të gjitha profesoreshat, të gjithë profesorët që kanë kontratë të rregullt pune me universitetet publike si staf akademik mund të fitojnë nga 10,000 euro grant për ta aplikuar hulumtimin në procesin e punës. Thirrja për aplikim në këto grante tashmë është publikuar, dhe qëndron e hapur deri sa të jepen 15 grante 10 mijë euro secili” – ka njoftuar ministrja Nagavci më 29.05.2024.

Nagavci vlerëson se aplikimi i hulumtimit në mësimdhënie është mënyrë optimale për modernizimin e arsimit të lartë në Kosovë dhe për rritjen e konkurrueshmërisë me botën.

Ajo i ka ftuar profesorët e universiteteve publike në Kosovë që të aplikojnë për t’u mbështetur nga këto grante.

“Të dashur profesorë të universiteteve tona publike, ju ftoj të aplikoni me ide kreative dhe të guximshme për mësimdhënie të bazuar në hulumtim. Ju siguroj se 15 më të mirët prej jush do ta fitojnë grantin me 100% meritokraci” – u ka bërë ajo thirrje profesorëve.

Sipas konkursit “Grante për zbatimin e projekteve mësimore të bazuara në hulumtime”, të interesuarit duhet të aplikojnë në formën e aplikimit të konkursit, në gjuhën angleze, në email-in: [email protected].

Sipas të dhënave, konkursi mbetet i hapur deri në plotësimin e numrit të granteve të ofruara gjatë vitit 2024.