"Pse plazhet po e pishinat jo": Pronarët e pishinave kërcënojnë me bllokim të autostradës për Shqipëri

Pronarët e pishinave kanë protestuar sot para qeverisë në shenjë pakënaqësie për vendimin e qeverisë që të mbyllen këto të fundit ndërsa kërcënuan me bllokim të autostradës si protestë për kosovarët që po lejohen të shkojnë në plazhet e Shqipërisë.

Diamant Paçarizi, përfaqësues i organizatorëve tha se kjo është një proteste simbolike për vendimin skandaloz te qeverisë për mbyllje të pishinave.

“Ne kemi marrë një njoftim që ministri i Shëndetësisë na ka thirrur në takim në ora 15:00. Por, në rast se deri më së largu nesër në mëngjes nuk merret vendimi për hapjen e pishinave ne do të organizojmë protestën e cila do të mbahet në kufirin me Shqipërinë, ku do t’i bllokojmë të gjitha veturat që dalin për bregdetin shqiptar” tha Diamant Pacarizi, pronar i Gold Pool Club në Prizren.

Ai gjithashtu shtoi se ky veprim nga ana e qeverisë ka bërë që qytetarët të mbushin kafet, qendrat tregtare dhe liqenet ku nuk përfillet asnjë masë.

“Kemi dal sot të protestojmë në mënyrë simbolike për vendimin skandaloz të qeverisë së Kosovës për mbylljen e pishinave, ndërprerja e këtyre veprimtarive për pishinat e hapura rrit rrezikun për pandeminë për disa arsye. Duke mos pasur mundësimi për të frekuentuar pishinat, qytetarët zgjedhin liqenet dhe parqet publike pa kriter, pa masa mbrojtëse ku mbrëmë si pasojë humbi jetën një qytetar. Zgjedhin bregdetin shqiptar ku mund t’ua argumentojmë edhe me foto se nuk ka kritere, as masa as manule, zgjedhin pishinat e Shqipërisë po ashtu pa masa mbrojtëse që janë me numër të mbipopulluar dhe me kushte të njëjta gjithashtu rritet numri i frekuentimit të qendrave tregtare dhe lokaleve,” u shpreh Paçarizi.

Paçarizi tutje shtoi se pishinat në Kosovë punojnë në bazë të rregulloreve që kontrollohen nga inspektorati, duke shtuar edhe faktin që uji në pishina ka përmbajtës për dezinfektim.

“Pishinat në Kosovë punojnë në bazë të rregullave dhe kushteve hidrosanitare të cilat kontrollohen nga inspektoratet komunale. Pishinat kanë ujë të kontrolluar, distancë dhe mbahet kontrolli më shumë se në shumë lokale, qendra tregtare dhe liqene e plazhe.
Uji në pishina mbahet rregullit me klor, peol dhe acid që është dezinfektues dhe parandalues i çdo virusi,” ka shtuar tutje Paçarizi.

Ai gjithashtu para mediave deklaroi se nga vendimi i qeverisë do pësojnë shumë familje dhe pishinat do i qoj drejt falimentimit duke kërkuar ndihmë nga qeveria.

“Pishinat e Kosovës mbajnë rreth 4500 familje për tre muaj në sezonë dhe 50% të stafit gjatë gjithë vitit. Pishinat kanë një kosto të lartë deri në ditën e hapjes që varion nga 10 deri 20 mijë euro. Kostot ditore të Pishinës janë nga 400 deri 800 euro në ditë. Tani ky vendim do na çoj në falimentim. Në këtë kohë dhe pa atdhetarë nga data 2 korrik kemi qenë vetëm për mbijetesë, prandaj kërkojmë ndihmë nga qeveria në këtë situatë që gjendemi,” u shpreh Paçarizi.

Qeveria ashpërson masat ndaj përhapjes së COVID-19