(Ilustrim)

Arrestohen 5 persona dhe shqiptohen 15 gjoba në një klub nate në Ferizaj

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona në një klub nate në Gërlicë të Ferizajt, i cili ishte duke punuar në kundërshtim me masat anti-COVID si dhe kanë penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare. Po ashtu, ka shqiptuar 15 gjoba ndaj personave që ishin të pranishëm aty.

Sipas njoftimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, rreth orës 00:30 kishte pranuar një informacion se në fshatin Gërlicë të Ferizajt një lokal nate është duke punuar në kundërshtim me vendimet Qeverisë për masat kundër COVID-19.

Me të marrë këtë informatë policia së bashku me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë (NjRSh), kanë dalë në vendin e ngjarjes në fshatin Gërlicë ku një lokal ishte i hapur dhe brenda ishin duke punuar disa persona.

Gjatë kryerjes së detyrave zyrtare policia dhe inspektorët kanë hasur në rezistencë duke u kanosur nga një person dhe duke u penguar nga disa të tjerë.

“Edhe përkundër përpjekjeve të policisë që të kryejnë detyrat e tyre zyrtare, të detyruar nga veprimet e pesë personave që në mënyrë aktive kanë penguar punën e policisë, të njëjtit persona i kanë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Ferizajt, ndërsa të gjithë personave tjerë që ishin aty 15 u janë shqiptuar gjoba për mosrespektim të orarit të lëvizjes”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit të Prokurorisë në Ferizaj, ndaj një të dyshuari me inicialet H.S, shtetas i Maqedonisë së Veriut,  i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë ndërsa katër personat e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.