Arkiv - Pika kufitare e Vërmicës

Që nga mbrëmë e deri sot në orën 11:00, rreth 5 mijë e 500 kosovarë shkuan në Shqipëri

Qeveria e Kosovës para pak ditësh nxori masat e reja për mbrojtje nga pandemia COVID-19.

Një nga masat ishte edhe mbyllja e gastronomisë dhe qendrave tregtare. Derisa ka vendosur edhe kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00, deri në 05:00 të mëngjesit.

Derisa nuk ka vendosur ndonjë masë ndaluese apo kërkesë për të pajisur me test negativ PCR për qytetarët që udhëtojnë në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas.

Kjo ka bërë që sot, të premtën, ditë feste për shkak të ditës së Kushtetutës, që nga mbrëmë ora 12:00 e natës e deri sot në ora 11:00 të ditës, mbi 5 mijë kosovarë të marrin rrugë për Shqipëri.

“Më datë 09.04.2021 duke filluar nga ora 00:00 deri ne ora 11:00, kanë dal nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë përmes PKK Vërmicë dhe PKK Morinë 5,498 persona”, tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Gjatë kësaj kohe, numri i qytetarëve që shkojnë në Shqipëri për vikend mund të rritet edhe më shumë.

Ndërsa kalime në Shqipëri të kosovarëve ka pasur edhe në dy ditët e më hershme.

“Më datë 07.04.2021 duke filluar nga ora 00:00 deri ne ora 11:00, kanë dal nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë përmes PKK Vërmicë dhe PKK Morinë 1,475 persona. Më datë 08.04.2021 duke filluar nga ora 00:00 deri ne ora 11:00, kanë dal nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë përmes PKK Vërmicë dhe PKK Morinë 1,845 persona”, tha për KALXO.com, Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.