Hekuran Murati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Murati: Me nivelin e mbështetjes ndaj qytetarëve, krahasohemi me Francën e Austrinë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka renditur një varg masash që janë marr nga qeveria në muajt e fundit për t’u përballur me krizën nëpër të cilën po kalon vendi.

Sipas tij, Kosova mund të krahasohet me Francën e Austrinë, me nivelin e mbështetjes që ka treguar qeverisja Kurti ndaj qytetarëve.

“Madje, me nivelin e mbështetjes mund të krahasohemi edhe me shtete shumë më të forta ekonomikisht si Franca e Austria”, ka shkruar Murati.

Përmes rrjetit Facebook, Murati thotë se rritja e çmimeve po ndodhë në gjithë botën dhe këto pasoja po i vuajmë edhe në si vend.

“Pas rihapjes së ekonomive, konsumi global është rritur shumë më shpejtë sesa që kapacitetet prodhuese e logjistike mund ta përballojnë. Kjo gjë ka shkaktuar rritje të çmimeve anekënd globit, dhe ka vënë në vështirësi të gjitha shtetet e qeveritë.

Pasojat e kësaj krize globale, krahas shumë shteteve më të forta ekonomikisht, po i vuajmë edhe ne”, është shprehur Murati.

Ai thotë se në mungesë të mundësisë për politika monetare do ndihmojnë qytetarët përmes politikave fiskale.

“Në mungesë të mundësisë për të ushtruar politika monetare, si qeveri, na mbetet që përmes politikave fiskale të ndihmojmë ata që kanë më së shumti nevojë për t’u përballur me këtë krizë, dhe njëkohësisht të mos shkaktojmë presione tjera inflacionare”, shton më tej Murati.

Tutje, sipas Muratit, nëse pyetet opozita, qeveria nuk po bënë asgjë, madje edhe fajin për ngritjen e çmimeve në nivel global po ja hedhin kësaj qeverie.

Murati i bashkëngjiti shkrimit një grafikë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, me top pesë vitet e inflacionit më të lartë, nga viti 2008 deri në vitin 2021.

Sipas tij, kriza në qeverinë Kurti mezi hyn në top 5 nëse i krahasojnë vitet me nivelin më të lartë të inflacionit.

“Përkundër kritikave e përshtypjes së krijuar, viti 2021 mezi arrin të futet në vendin e pestë, nëse i krahasojmë vitet me nivelin më të lartë të inflacionit mesatar vjetor. Të dhënat janë marrë nga ASK”, shtoi tutje Murati.

May be an image of text