Policia vetëm në Prizren shqiptoi 319 gjoba për mosrespektim të masave antiCOVID

Policia në rajonin e Prizrenit ka njoftuar se gjatë vikendit ka zhvilluar aktivitete të shtuara për respektimin e masave kundër COVID-19.

“Njësitë patrullues nga të gjitha stacionet e Drejtorisë së Policisë në Prizren, gjatë vikendit kanë kryer aktivitete të rregullta në parandalimin e shkeljeve dhe zbatimin e rregullave të kërkuara sipas udhëzimit”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se në zbatim të masave kundër COVID-19, janë realizuar kontrolle në qendra tregtare, rrugë, sheshe dhe gjatë kryerjes së detyrave zyrtare janë gjetur parregullsi të shumta.

“Janë shqiptuar gjithsej 319 gjoba për mos mbajtje të maskës dhe distancës sociale, gjithashtu janë dhënë gjashtë vërejtje. Policia ka monitoruar dhe ndihmuar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare me rastin e fillimit të vaksinimit në Prizren”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se në kuadër të këtyre masave, janë realizuar 12 aktivitete së bashku në Inspektorët e AVUK-ut, ku janë inspektuar dhe kontrolluar edhe sallonet e dasmave.

“Në tri raste janë gjetur të organizuara ahengje familjare në kundërshtim me vendimin e Qeverisë. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba për sallonet e dasmave dhe organizatorët, ndërsa policia ka shpërndarë pjesëmarrësit”, thuhet në njoftim.

Policia në Prizren ka njoftuar se aktivitete të tilla do të ketë në vazhdimësi, duke respektuar dhe zbatuar udhëzimet e Qeverisë dhe IKSHPK-së, si dhe ligjin për masat mbrojtëse kundër virusit Covid-19.