Prokuroria Speciale konfirmon gjetjen e trupit të pajetë të pjesëtarit të tretë të grupit terrorist

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka konfirmuar gjetjen e trupit të pajetë të pjesëtarit të tretë të grupit terrorist dhe ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të armatimit.

Në një njoftim për media PSRK ka bërë të ditur se në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat relevantë, ka udhëhequr veprimet hetuese edhe gjatë ditës së sotme në vendin e ngjarjes, në Banjskë të Zveçanit.

“Faktikisht, PSRK-ja, konfirmon se, sot, në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe, gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale”-thuhet në njoftim.

Sot është mbajtur mbledhje komemorative për rreshterin Afrim Bunjaku, që u vra në orët e para të mëngjesit të së dielës në Banjskë të Zveçanit.

Përfaqësues të institucioneve, diplomatikë e qindra qytetarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të policit Afrim Bunjaku, i cili dje u vra në krye të detyrës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur Afrim Bunjakun “Hero i Kosovës”.