Prokuroria kërkon paraburgim për ish-policin Sllogjan Trajkoviq, i dyshuar për krime lufte

Sllogjan Trajkoviq ish-zyrtari policor serb i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për krime të luftës në Kosovë.

Ndaj të njëjtit Prokuroria Speciale ka njoftuar se do të kërkoj masën e sigurisë, më konkretisht të paraburgimit për Trajkviqin, për krime të luftës kundër popullatës.

“Veprimet e të pandehurit S.T. janë në kundërshtim me konventat e Gjenevës, dhe ligjet ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Tutje sipas njoftimit, thuhet se dyshimet e Prokurorisë Speciale konsistojnë në faktin se i pandehuri Sllogjan Trajkoviq së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marrë pjesë në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë.

“Në këtë rast i pandehuri  në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen si dhe vrasjen e personave civil dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre  gjatë kohës se luftës” – vazhdon njoftimi i Prokurorisë.

Si pasojë e këtyre veprimeve inkriminuese të të pandehurit, Prokuroria Speciale me qëllim të sigurimit të prezencës të të njëjtit në procedurë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit.

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka njoftuar për arrestimin e Trajkoviq.

Në lidhje me arrestimin e Trajkoviq, gjatë ditës ka reaguar edhe Lista Serbe.