Foto: Fahri Jashari/ Facebook

Prokuroria kërkon paraburgim për Fahri Jasharin, ish drejtorin e Kulturës në Mitrovicë të Jugut

Prokuroria e Mitrovicës ka bërë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fahri Jasharit, ish drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, i dyshuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur, Valon Preteni, zëdhënësi i Prokurorisë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj një (1) personi, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”- tha ai, sot më 09.09.2025.

Arrestimi e shkarkimi i Fahri Jasharit

Jashari është arrestuar dje, më 08.09.2025 nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Arrestimi i ish drejtorit ndodhi pas denoncimit nga Kryetari Bedri Hamza, i cili edhe e shkarkoi atë.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë procedurave hetimore janë siguruar prova që lidhen me një kontratë të subvencionimit.

Lajmin për shkarkimin e drejtorit, e ka bërë të ditur për KALLXO.com, kryetari i kësaj komune, Bedri Hamza, i cili tha se Jashari ka shmangur procedurat ligjore dhe ka bërë ndryshim të shumave në një kontratë.

Ai madje tha se rastin e ka denoncuar në Polici dhe potencoi se bëhet fjalë për një “kontratë me subvencione”.

“E kam shkarkuar nën dyshimin e bazuar se ka mundur të ketë shkelje ligjore. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme. Rasti është i denoncuar. Në raport me ligjin nuk kam kompromis me askënd. Janë marr të gjitha masat e nevojshme që buxheti i Komunës mos të dëmtohet, mirëpo ka të bëjë me një kontratë për subvencione që mendoj se ka pasur shmangie prej procedurave ligjore dhe ka pasur ndryshim të shumave në kontratë”- tha Hamza.

Se për çfarë kontrate bëhet fjalë, Hamza nuk dha detaje, mirëpo KALLXO.com dërgoi kërkesë me shkrim në komunë për të marrë informacion më të detajuar rreth shkeljes së pretenduar.