Prokuroria inicion hetime për lëvizjen anti-islame që u themelua në Deçan

Ditë më parë në Komunën e Deçanit, një grup personash u mblodhën në një ndërtesë e nga aty dhanë lajmin se kanë themeluar një lëvizje me motive për shqiptarizmin.

Lëvizja: Braktisja vullnetare e fesë islame”, deklarimet por edhe ato se çka u thanë gjatë daljes në publik të këtij grupi tashmë do të hetohen edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi për KALLXO.com ka thënë se janë iniciuar procedura hetimore për të parë nëse ky grup po shfaq elemente të nxitjes së urrejtjes, përçarjes e mosdurimit.

“Ne si prokurori që nga paraqitja publike e këtyre qytetarëve dhe iniciativës së tyre, e kemi monitoruar në vazhdimësi dhe njëkohësisht sot, Prokuroria Themelore e Pejës ka hapur rast, për verifikim të asaj nëse ka elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes apo mos durimit dhe varësisht nga ajo çka mund të rezultojë do të ndërmerren edhe hapat dhe veprimet e mëtutjeshme”- tha Nikçi për KALLXO.com.

Dalja në publik e këtij grupi të qytetarëve kryesisht nga Deçani ishte më 20 tetor, ndërsa vetëm tri ditë më pas ishte kryetrari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj që mblodhi Këshillin e Bashkësisë Islame në këtë komunë.

“Në takimin e sotshëm me Bashkësinë Islame në Deçan, u dakorduam që të mos i kontribuojmë polarizmit, përçarjes e urrejtjes në mes qytetarëve tanë. Pavarësisht organizimeve dhe thirrjeve që dikush mund të ketë, Bashkësia Islame dhe qytetarët e Deçanit si gjithherë i kontribuojnë bashkëjetesës, harmonisë dhe të mirës për popullin dhe për shtetin e Kosovës”- ka shkruar Ramosaj në një postim në Facebook më 23 tetor 2023.

Për këto zhvillime që ndodhën në Deçan reagoi edhe Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” në po këtë komunë.

Të njëjtit e konsideruan lëvizjen si thirrje për nxitje të urrejtjes e për të cilat thanë se janë të dëmshme dhe të dënueshme.

“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, reagon dhe shpreh shqetësimin e saj në lidhje me një organizim të ditës së djeshme, ku persona tashme të njohur edhe për publikun, kanë manifestuar duke nxitur urrejtje deri në mos durim në një aktivitet me qëllime propagandimin fetarë”- thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

Tutje të njëjtit kanë thënë se e drejta e besimit fetar, në cilën do prej feve është e drejtë personale e pa imponime dhe pa të drejtë përzierjes tjetrit në të drejtën e tij.

Madje të njëjtit thanë se organizimi dhe formimi i kësaj lëvizje është keqpërdorur.

“Në bazë të informatave që tashmë ne i disponojmë, manifestimi në fjalë është keqpërdorur nga organizatorët dhe si i tillë hedh dyshime për prapavinë e tij, kur tashmë ka edhe reagime nga të pranishmit që janë manipuluar në emër të thirrjes për manifestimin ku do të flitej për “terrorizmin” si problem tashmë global”- thuhet në po të njëjtin reagim.

Iniciativa e një grupi të qytetarëve të Deçanit nga “Lidhja e Historianëve” u tha se nuk është asgjë më shumë e asgjë më pak se sa thirrje dhe nxitje urrejtjes mes komuniteteve të caktuara fetare në Kosovë.

“Për këtë kjo është e papranueshme dhe e dënueshme. Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, thekson se tubimet e tilla, pa marrë parasysh thirrjet që behën kundër një komunitetit të caktuar fetare, janë të dëmshëm, sidomos tashmë kur në Kosovë kemi një klimë të re në të gjitha sferat e jetës”- thuhet në reagimin e tyre më tutje.

Një nga të pranishmit në këtë takim ku u bë edhe publike se po formohet një Lëvizje e re anti- islamike, ishte edhe ish-këshilltari i ish-Presidentit Rugova, Sali Cacaj.

Ai në një reagim në rrjetin social Facebook ka thënë se takimi ishte thirrur për mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe se nuk i takon grupit “Lëvizja vullnetare e braktisjes së fesë islame”.

Ai madje shtoi se sqarimi i tij në rrjete sociale erdhi pasi u cilësua si pjesëtar i grupit dhe u përmend funksioni i tij si këshilltar i Presidentit Rugova.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe në Policinë e Kosovës nëse të njëjtit janë duke e trajtuar këtë cështje por deri në publikimin e këtij shkrimi të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.