Foto: Ilustrim

Prokuroria e Pejës: Roja i Burgut u arrestua pasi pranoi 2 mijë euro ryshfet për transferimin e një të burgosuri

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj një roje të Burgut të Dubravës nën dyshimin se ka pranuar 2,000 euro për të transferuar një të burgosur nga pjesa e tipit të mbyllur në pjesën e Burgut të tipit gjysmë të hapur.

Aktakuza është ngritur ndaj Xhevat Blakajt, i cili është mbikëqyrës i ndërrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Rasti dyshohet të këtë ndodhur më 20 gusht të këtij viti.

Se është ngritur aktakuza e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili tha se aktakuza është ngritur në drejtim të veprës penale – ushtrim ndikimi.

Dosja e Prokurorisë thotë se personi i cili ishte në vuajtje të dënimit në këtë Qendër, Ali Haxhishabani, i kishte njoftuar familjaret e tij se një oficer duke aluduar në të pandehurin Xhevat Blakaj, po i kërkonte shumën prej 2 mijë euro për ta transferuar prej një pjese në pjesën tjetër të Burgut.

Sipas Prokurorisë së Pejës, familjaret e të burgosurit e njoftojnë Policinë për këtë rast meqenëse nuk i kishin të hollat dhe kështu i pandehuri mbahet nën vëzhgimin e Policisë.

Me rastin e takimit të të pandehurit dhe dëshmitareve T.H. dhe Sh.H. ndodh edhe dorëzimi i të hollave prej 2 mijë euro. Dhe, pasi ndodh dorëzimi i të hollave reagon Policia, e cila e ndalon të dyshuarin dhe ia gjen gjen të hollat në xhepin e pantallonave.

Këto të holla ishin siguruar nga fondi i fshehtë i Policisë, të cilave paraprakisht u ishin fotografuar e regjistruar numrat serikë.