Prokurori Haki Gecaj për deklaratën e ministres Haxhiu: Nuk i komentoj mendimet e personave politik

Vendim të çuditshëm dhe befasues e ka quajtur ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu lirimin e tre të dyshuarve shtetas serbë, të cilët të shtunën u hasën në Prishtinë duke blerë disa emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Prokuroria i ka liruar në procedurë të rregulltë, është vendim i çuditshëm dhe i befasishëm për ne si qeveri dhe për qytetarët, pra fakti që nuk janë mbajtur as 48 orë tregon mospërfilljen e rrezikut të sigurisë se vendit”, tha Haxhiu në një konferencë për media të hënën.

Lidhur me këtë deklaratë, KALLXO.com ka kontaktuar me prokurori special të këtij rasti, Haki Gecaj.

Gecaj tha se nuk i komenton deklaratat të personave politik.

“Unë nuk i komentoj mendimet ose deklarimet e subjekteve edhe personave politik kushdo qoftë ai. Ne veprojmë në bazë të dëshmimeve që na i ofrojnë organet ligjzbatueese, që janë në kompetencë për atë”, ka thënë prokurori Gecaj.

KALLXO.com ka raportuar se të shtunën Policia e Kosovës ka ndaluar tre shtetas serbë, të cilët u hasën në Prishtinë në posedim të disa emblemave të UÇK-së.

Tre serbët, sipas burimeve, kanë vendbanim të përhershëm në Serbi dhe u hasën mbrëmë në lagjen “Dragodan” të Prishtinës në një rrugë e cila dërgon tek disa qendra tregtare të zonës.

“Ata kanë deklaruar se i kanë blerë sepse janë koleksionues të tyre, ato i kanë blerë në qendrën tregtare në “Arbëri” dhe jam në pritje të rezultateve të intervistave”, kishte thënë prokurori Gecaj për KALLXO.com.

KALLXO.com mbrëmë raportoi se janë liruar tre shtetasit serbë.

“Pasi janë mbledhur të gjitha dëshmitë, kam dhënë urdhër që të lirohen sepse nuk kemi prova që në këtë moment ta dërgojmë çështjen në gjykatë”, kishte deklaruar të dielën prokurori Gecaj.

“Tek ta janë gjetur 5 emblema të UÇK-së, i kanë blerë në një qendër tregtare, pasi i kanë blerë kanë thënë se janë koleksionues të tyre, tjetër diçka nuk është gjetur”, kishte thënë ai.

Në Dragodan arrestohen tre serbë, posedonin emblema të UÇK-së