Foto: Ilustrim

Lirohen shtetasit serbë që u kapën në posedim të disa emblemave të UÇK-së

Janë liruar tre shtetasit serbë që mbrëmë u ndaluan nga Policia e Kosovës teksa posedonin disa emblema të UÇK-së.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com prokurori i Prokurorisë Speciale, Haki Geci.

“Pasi janë mbledhur të gjitha dëshmitë, kam dhënë urdhër që të lirohen sepse nuk kemi prova që në këtë moment ta dërgojmë çështjen në gjykatë”, tha ai.

Geci ka deklaruar se të dyshuarit kanë thënë se janë koleksionues të emblemave.

“Tek ta janë gjetur 5 emblema të UÇK-së, i kanë blerë në një qendër tregtare, pasi i kanë blerë kanë thënë se janë koleksionues të tyre, tjetër diçka nuk është gjetur”, tha ai.

KALLXO.com raportoi se tre serbët kanë vendbanim të përhershëm në Serbi dhe u hasën mbrëmë në lagjen “Dragodan” të Prishtinës në një rrugë e cila dërgon te disa qendra tregtare të zonës.

Sipas këtyre burimeve, në veturën e tyre janë gjetur disa emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Serbët e arrestuar në posedim të emblemave të UÇK-së, flet prokurori i rastit