Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Foto: KALLXO.com

Lirimi i të dyshuarve serbë që blenë emblema të UÇK-së, Haxhiu: Prokuroria s’e përfilli rrezikun e sigurisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media, ka dhënë detaje për ndalimin e tre shtetasve serbë, të cilët të shtunën u hasën në Prishtinë në posedim të disa emblemave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Haxhiu ka thënë se personat e dyshuar kanë hyrë Kosovë nga Serbia po atë ditë, dhe kanë shkuar të blejnë veshmbathje ushtarake.

Lirimin e të dyshuarve nga Prokuroria, ministrja e ka quajtur  “të çuditshëm”.

“Prokuroria i ka liruar në procedurë të rregulltë, është vendim i çuditshëm dhe i befasishëm për ne si qeveri dhe për qytetarët, pra fakti që nuk janë mbajtur as 48 orë tregon mospërfilljen e rrezikut të sigurisë se vendit”, tha ajo.

MinistrjaHaxhiu  ka kërkuar nga institucionet e vendit të kenë bashkëpunim dhe jo injorim të rreziqeve të mundshme.

“Vetëm duke bashkëpunuar i mbrojmë qytetarët. Reformat që kemi nisur janë më të nevojshme si kurrë”, tha ajo.

KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë.

Sipas ministres të dyshuarit të nacionalitetit serb, janë hasur duke blerë pesë emblema.

“Siç jeni në dijeni të shtunën në orën 17 në Prishtinë policia ka shoqëruar tre serb të cilët janë hasur duke blerë pesë emblema. Sipas informacioneve, personat e dyshuar kanë hyrë nga Serbia në Kosovë në atë ditë, kanë shkuar të blejnë veshmbathje ushtarake. Ata persona, nga kamerat janë parë duke u interesuar të blejnë veshmbathje ushtarake mirëpo policia kishte rastisur aty, ku ishin blerë vetëm 5 emblema”, tha ajo.

Haxhiu ka theksuar se sipas informatave, njëri nga ata ka komunikim nga Federata Ruse, me Inteligjencën serbe, dhe sipas saj, kanë mjaftuar këto informata që do të cenonin sigurinë.