Ilustrim

Problemet e prokurimit në Fushë Kosovë

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka hasur në parregullësi sa i përket prokurimit në Komunën e Fushë Kosovës gjatë vitit 2019.

Sipas auditorit gjatë testimit është vërejtur se realizimi i projekteve kapitale kishte vonesa dhe përkundër kësaj komuna nuk kishte kërkuar vazhdimin e sigurisë së ekzekutimit për disa kontrata.

“Kontrata ‘Ndërtimi i QMF-së në Fushë Kosovë’ me vlerë 246,882 euro e nënshkruar me datën 05.07.2019 do duhej të përfundonte 120 ditë sipas planit dinamik mirëpo punët ende nuk ishin përfunduar. Siguria e ekzekutimit kishte validitet deri më datën 01.12.2019, dhe si e tillë nuk ishte vazhduar deri me datën 15.06.2020 kur ne kemi audituar këtë kontratë”, thuhet në rqaport.

Ndërsa për kontratën: “Asfaltimi i rrugëve në Fushë Kosovë” me vlerë 175,958 euro e nënshkruar me datën 22.05.2019, punët do duhej të përfundonin 60 ditë sipas planit dinamik mirëpo sipas auditorit punët ende nuk ishin përfunduar”.

“Siguria e ekzekutimit kishte validitet deri 19.08.2019. Edhe pse punët nuk kishin përfunduar siguria e ekzekutimit nuk ishte kërkuar që të vazhdohej. Arsyeja e mos vazhdimit apo vazhdimit me vonesë ishte kontrolli dhe monitorimi jo i mirë i realizimit të kontratave dhe përcjelljes së validitetit të sigurisë së ekzekutimit”, thuhet në raport.

Sipas auditorit kujdesi jo i duhur lidhur me vazhdimin e sigurisë së ekzekutimit në raste të dëmtimit të punimeve, komuna mund të përballet me shpenzime shtesë si dhe të mos arrij të marr kompensimin e dëmeve.

“Kryetari, duhet të ndërmerr masat për forcimin e kontrolleve lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e projekteve sipas planit dinamik dhe kushteve të kontratës, në mënyrë që projektet të realizohen sipas planit dinamik. Njëherit për projekte që janë në vonesa të realizmit të sigurohet se është kërkuar vazhdimi i sigurisë së ekzekutimit”, thuhet tutje.

Gjatë testimit të kontratave auditori kishte vërejtur që janë pranuar dhe paguar punë apo furnizime të cilat nuk ishin sipas atyre të kontraktuara.

Te kontrata “Ndërtimi i urës mbi lumin Drenica në fshatin Grabovc”, në vlerë prej 27,943 euro, nga ekzaminimi fizik i projektit janë identifikuar se tri pozicione me vlerë 3,760 euro nuk ishin realizuar ndonëse ishin faturuar dhe paguar sipas situacionit të fundit të punëve të përfunduara dhe pagesës së realizuar në vlerë 16,375 euro.

Gjithashtu edhe në kontratën “Blerja e dy mini autobusëve për të mbuluar nevojat e Administratës, Shëndetësisë dhe Arsimit”, tek pagesa në vlerë 65,000 euro auditori ka identifikuar se komuna kishte pranuar mini autobusët jo në përputhje me specifikacionet e cekura në kontratë, ishin kërkuar mini autobusë me 4 dyer ndërsa ishin pranuar mini autobusë me 3 dyer.