Auditori: Komuna e Fushë Kosovës me një kontratë publike shtroi kubëzat e një biznesi privat në vlerë mbi 10 mijë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në një kontratë për vendosjen e kubëzave në Fushë Kosovë është përfshirë edhe platoja/parkingu i një biznesi privat.

Në raportin e auditimit thuhet se se në kontratën në vlerë 81,580 euro për ndërtimin dhe vendosjen e kubëzave në territorin e Komunës së Fushë Kosovës, ishte përfshirë edhe ishin realizuar punimet për vendosjen e kubëzave të betonit me vlerë prej 10,303 euro në platonë/parkingun që sipas certifikatës së pronës së siguruar nga komuna është pronë e një biznesi privat.

Auditori thotë se zyrtarët nuk kanë ofruar ndonjë shpjegim për moszbatim të kërkesës ligjore.

“Megjithatë, kontrolli jo i duhur fillimisht në planifikimin e projektit si dhe në menaxhimin e kontratës ka bërë që punimet e tilla të aprovohen dhe realizohet pagesa” – thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, shpenzimi i parasë publike për investime në prona private, dëmton buxhetin e komunës dhe njëkohësisht ndikon në diskriminimin e bizneseve lokale duke ndikuar në favorizimin e biznesit përkatës.

“Kryetari duhet të sigurojë se para inicimit të procedurave të prokurimit për investimin e parasë publike të mos përfshihen në dosje të tenderit investimi i parasë publike në prona private por ato të shpenzohen vetëm për qëllime publike” – thuhet në rekomandimin e Auditorit për të parin e Fushë Kosovës, Burim Berisha.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë thotë që paratë do të përdoren vetëm për qëllime të miratuara publike.

“Asnjë autoritet publik, organizatë buxhetore, person apo ndërmarrje nuk mund të devijojë, keqzbatojë, ekspozojë apo të përdor në mënyrë të parregullt paranë publike” – theksohet në raport.

Në raportin e auditimit për vitin 2022, menaxhmenti i Komunës së Fushë Kosovës është pajtuar me këtë gjetje.

Në raportin e vitit 2021, Komuna e Fushë Kosovës ka marrë 18 rekomandime. Deri në fund të auditimit në vitin 2022, nëntë rekomandime janë zbatuar, nëntë nuk janë zbatuar.