Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Prizren, paraburgim ndaj një të dyshuari për grabitje

Gjykata e Prizrenit, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit V.K., i cili dyshohet se ka kryer grabitje

Gjykata ndaj V.K., ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dhe kjomasë sipas Gjykatës do t’i llogaritet prej datës 18 shkurt 2021 deri me datën mars 2021.

Sipas Prokurorisë, me datë 29 janar i pandehuri V.K., me një të mitur  kishin marrë një taksi, pronë e të dëmtuarit N.H., ku pranë karriges së shoferit ishte ulur i pandehuri V.K., ndërsa prapa kishte qenë i ulur i mituri A.Q.

Ata nga shoferi i taksit kishin kërkuar që t’i dërgojnë deri në fshatin Shirokë dhe me të arritur në fshat, sipas Prokurorisë,  i pandehuri V.K., nxjerr thikën dhe ia vendos në gjoks të dëmtuarit dhe i thotë që të vazhdojë për në fshatin Mushtisht, dhe me të arritur në afërsi e urdhëron të kthehen majtas dhe të shkojnë në një arë të këtij fshati, dhe me thikë e shpon në gjoks të dëmtuarin N.H.

Pastaj, gjithnjë sipas Prokurorisë, V.K  shoferit të taksit me dhunë ia merr 82 euro dhe dy telefona personalë me sim- kartela dhe së bashku me të miturin ikin në drejtim të panjohur, ndërsa të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime trupore.

Tutje sipas Gjykatës, konsiderohet se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, meqenëse i pandehuri V.K., nga dita kritike e deri në arrestimin e tij nga organet e ndjekjes kishte qenë në arrati.