Foto: Ilustrim

Prizren, një muaj paraburgim për të dyshuarën që e kërcënoi ish-bashkëjetuesin

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurës me iniciale S.H.

S.H. po dyshohet se ka kryer veprën penale të kanosjes.

Sipas Gjykatës, pas përkeqësimit të raporteve me të dëmtuarin, e pandehura S.H. fillon që ta shqetësojë të dëmtuarin duke i dërguar mesazhe telefonike.

“… tash kemi për të vra se s’të kapi plumbi në Dibër tash vim te shpia jote se po të përcjellim, kemi qenë edhe mbrëmë te rruga yte por s’të kemi parë, por dije që një ditë do të bish në dorë dhe s’ke me i shpëtue më plumbit si në Dibër”, citohet nga Gjykata përmbajtja e mesazhit.

Masa e paraburgimit ndaj të dyshuarës do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16 janar 2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 16 shkurt 2022.

Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për zhvillimin e rregullt të procedurës penale si dhe në rastin konkret kemi të bëjmë me veprën penale të kanosjes, me të cilën vepër penale kanoset apo dëmtohet jeta dhe trupi i njeriut si një nga të drejtat elementare e fundamentale, andaj edhe Gjykata vendosi për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës në kohëzgjatje prej një muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, por ajo nuk e shtyn ekzekutimin e tij.