FOTO: Policia e Kosovës/Facebook.

Prishtinë, sekuestrohen 660 gramë marihuanë, arrestohen 3 persona

Policia ka sekuestruar sot 660 gramë marihuanë dhe në lidhje me rastin ka arrestuar tre persona të dyshuar.

Në njoftimin e Policisë thuhet se rreth orës 14:50 kanë pranuar një informatë se në rrugën “Dritan Hoxha” në Prishtinë disa persona dyshohet se janë duke bërë shitblerje të substancave narkotike.

“Sektori Qendror në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit më Narkotikë ka reaguar në vendin e ngjarjes dhe ka hasur në tre (3) persona të dyshuar të cilët ishin në veturën e markës Tiguan ngjyrë hiri me targa vendore. Personi i cili ishte pasagjer në pjesën e pasme del nga vetura me një qese najloni në dorë ku dyshohej se kishte substance narkotike, i njëjti është ndaluar nga ana e policisë dhe tek i dyshuari me iniciale (SH.A.) janë gjetur në cilësinë e provave material (155) gram substancave narkotike e llojit marihuanë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje është bërë e ditur se te pasagjeri me inicialet B.SH., i cili ishte në veturën “Tiguan” janë gjetur 70 gramë substanca narkotike të llojit marihuanë.

Nga zyrtarët policorë të Antidrogës është njoftuar prokurori kompetent, me ç’rast është marrë urdhër për bastisje të tri pronave – banesave të të dyshuarve, një kontroll është realizuar në rrugën “Sadik Zeneli” në Prishtinë, pronë e të dyshuarit B.Sh., ku në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 435 gramë marihuanë, një peshore dixhitale dhe folje për paketim të substancës narkotike, ndërsa në dy lokacionet e tjera nuk është gjetur diçka e dyshuar.

Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si në vijim:

– Një qese me substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë me peshë 435 gramë,

– Një qese me substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë me peshë 80 gramë,

– Një qese me substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë me peshë 75 gramë,

– Një qese me substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë me peshë 70 gramë,

– tre (3) telefona mobilë,

– Një (1) peshore,

– Folie për paketimin e substancës narkotike

“Në total janë gjetur dhe sekuestruar 660 gramë substancë narkotike  e dyshuar e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit pas intervistimit ndalohen për 48 orë” – thuhet në njoftim.