Puseta 1, Foto: KALLXO.com

Prishtinë, pusetat e hapura “pa” përgjegjës (FOTO)

Për tri puseta të hapura, të cilave u mungojnë kapakët, në rrugën te Rrethi me Flamur në Prishtinë, institucionet po ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës për mirëmbajtjen e tyre. 

Në njërën anë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka thënë se Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për mirëmbajtjen e kësaj rrugë ndërsa nga Komuna e Prishtinës kanë deklaruar se MMPHI e ka këtë rrugë nën kompetencë.

MMPHI-ja tha për KALLXO.com se pjesa te Rrethi i Flamurit është në kompetencë të Komunës së Prishtinës pasi që është brenda qytetit.

Përderisa, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se rruga ku gjenden pusetat e hapura është nën kompetencën e Ministrisë së Infrastrukturës.

“Për mirëmbajtjen e saj është kompetente Ministria e Infrastrukturës”, ka thënë Dukagjin Buçaj, zyrtar i lartë për ndërtim urban në Drejtorinë e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës.

Këto puseta janë të hapura në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, mes Rrethit me Flamur dhe Termokosit.

E të njëjtat po shkaktojnë probleme për shoferët e autobusëve, taksistët e për kalimtarët e tjerë.

“Pusetat po janë pengesë, normale që janë pengesë”, ka thënë Urim Jashari, shofer i autobusëve të Kompanisë “Fatoni Reisen” për KALLXO.com. 

Edhe për taksistin Remzi Makolli pusetat janë problem e madje edhe po paraqesin rrezik për kalimin e rrugës.

“Bo vaki që ndeshje njeri bënë, mundet me ra [në puseta] edhe me u rrotullu”, ka thënë ai.

Mirëpo, i njëjti po thotë se kapakët e pusetave janë vjedhur.

“Po i thyejnë, po i marrin e po i shesin për hekur”, shtoi Makolli.

Banori i Lagjes së Spitalit shtoi se ky problem është prezent edhe në zonën ku ai jeton. Sipas tij zgjidhje është nëse në vend të hekurit përdoret plastika për t’i mbuluar pusetat.

 “Unë jetoj në Lagjen e Spitalit, krejt i kanë marrë kështu te trafa, te gjykata. U dal komuna i ka ngjit të plastikës, ma plastikën sun e shet”, ka thënë tutje Makolli. 

Puseta 1, Foto: KALLXO.com
Puseta 2, Foto: KALLXO.com
Puseta 3, Foto: KALLXO.com