Ilustrim

Prishtinë, arrestohen pronari i një kompanie dhe dy punëtorë të një "call-center"

Policia e Kosovës njofton se janë arrestuar tre persona në një “call-center” në Prishtinë.

Bëhet fjalë për I.A., pronar të një kompanie, L.S. punëtor në “call-center” dhe H.M. punëtore në “call-center”.

Sipas Policisë, të dyshuarit kanë arritur që përmes vjedhjeve të shërbimeve dhe njëkohësisht duke cenuar të drejtat e autorit dhe përmes veprimtarisë se pandërgjegjshme ekonomike t’i shkaktojnë dëme një kompanie tjetër.

Në njoftim thuhet se kompania është e licencuar për shpërndarjen e rrjetit televiziv, ndërsa të dyshuarit kanë shitur të drejtat e tyre pa ndonjë marrëveshje paraprake me të njëjtit, te klientët (qytetarët) të cilët i kanë kontaktuar paraprakisht në forma të ndryshme.

“Më këto veprime, të dyshuarit me iniciale (I.A., L.S. dhe H.M.), dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Vjedhja e Shërbimeve” nga neni 314, “Veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” nga neni 279 dhe “Cenimi i të drejtave të autorit” nga neni 290, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari I.A. është dërguar në mbajtje për 48 orë ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Prishtinë.