Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatet gra për asamblenë e Gostivarit tregojnë prioritetet e tyre

Kandidatet gra për asambliste në Kuvendin Komunal të Gostivarit, në Debat Pernime kanë treguar se cilat politika do t’i shtyjnë përpara nëse marrin mandat nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja për asambleiste nga radhët e BDI-së, Sebajete Zenku, ka thënë se prioritet i saj do të jetë fuqizimi i gruas.

“Për mua përpos realizimit të programit të Iniciativës Qytetare dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, prioritet tjetër jashtëzakonisht me rëndësi do të jetë integrimi i çështjeve gjinore në të gjitha politikat dhe strukturat e komunës së Gostivarit, për një periudhë afatgjate 2021-2025. Kur nisemi nga kjo pikë, gjithashtu do të insistojmë në krijimin e planeve të veprimit, fuqizimin ekonomik të grave, duke përkrahur ndërmarrjet e krijuara nga gratë, numrin e grave në pozita vendimmarrëse, pastaj me të gjithë palët e involvuara do të insistojmë në përgatitjen e planit të veprimit për neutralizimin e stereotipeve gjinore si dhe neutralizimin e dhunës në bazë gjinore” tha Zenku nga BDI.

Ndërsa Vjollca Baftiu Zylbehari nga BDI tha se prioritet i saj do të jetë mbyllja e problemit me deponinë Rusina.

“Prioriteti im si këshilltare e ardhshme e komunës është përfshirja e qytetarëve në masë më të madhe që ta dëgjojnë zërin e tyre, duke u mundësuar atyre një qytet të pastër e pa mbeturina, me ujë të pijshëm dhe ajër të pastër, duke mobilizuar të gjithë resurset e mundshme në shtet që përfundimisht të përmbyllet problemi me deponinë Rusina, e cila është një problem kyçe dhe vdekjeprurëse për të gjithë banorët”, tha Vjollca Baftiu Zylbehari nga BDI.

Kandidatja Trëndëlina Deari nga Lëvizja Besa, tha se prioritet i saj do të jetë përkrahja e grave.

“Unë si mësimdhënëse, sociologe dhe nënë vetushqyese, mund t’i kem ndjerë pasojat e këtij sistemi ose qeverisjes, në shpinën time. Programi im do të jetë fillimisht në përkrahje të grave. Vetëm numri i grave të dhunuara, prej në fillim të këtij viti deri tani është 120. Nuk kemi asnjë qendër, asnjë organizatë që do t’i ndihmojë këta gra, do t’i strehojë. Do të interesohemi që t’i kyçim gratë në vendimmarrje, në pozita të cilat atyre u takojnë, jo vetëm në mësimdhënie, në çerdhe por të jenë në vende udhëheqëse, t’i kemi nëpër drejtori, nëpër institucione të ndryshme”, tha Deari nga Lëvizja Besa.

Të ftuar në debat janë kandidatët: Arben Taravari nga koalicioni koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Fadil Zendeli nga Besa dhe Renata Elezi nga PDSh.

Kandidatët përballë gazetares Jeta Xharra do të diskutojnë për tema të ndryshme në interes të qytetarëve të Gostivarit, duke filluar nga shëndetësia, arsimi, infrastruktura, ambienti, qentë endacak, siguria publike, e transporti.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës ishin edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gostivarit: Sebajete Zenku nga BDI, Vjollca Baftiu Zylbehari nga BDI dhe Trëndëlina Deari nga BESA.