Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prioritetet infrastrukturore të kryetarit të ri të Skenderajt

Kryetari i porsazgjedhur i Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se brenda këtij mandati në komunën që udhëheq nuk do të diskutohet më për rrjetin e kanalizimit.

I ftuar në ‘Kallxo Përnime’, Nura tha se prioriteti i investimeve kapitale do të jetë te bashkësitë lokale.

“Ne i kemi prezantu, janë disa nga qendrat e bashkësive lokale që kanë një investim bajagi milionësh, por që ka kërkesa edhe ndriçimi publik dhe trotuaret. Do të vazhdojmë që të përfundojmë brenda këtij mandati, nuk do të diskutojmë për rrjet kanalizimit. Problematikë mbetet rrjedhja apo derdhja e ujërave të zeza, që nuk varet nga Komuna”, ka thënë Nura.

Ai ka folur edhe për problemin me furnizim me ujë, pasi që sipas tij, problemi i infrastrukturës nuk ekziston.

“Problem është edhe furnizimi me ujë. Por pa përfunduar projekti për rritjen e kapacitetit të ujit për Skenderajn është problem furnizimi. Tash e dëgjova që Qeveria e ka hequr në buxhet këtë, që mendoj se ka bërë gabim, është një nga mega projektet më të rëndësishme për komunën e Skenderajt”, tha ai.

Fadil Nura tha se projekti për furnizim me ujë nga Mitrovica për në Skenderaj ka kosto të madhe dhe sipas tij nuk mund të kryhet pa përkrahjen e nivelit qendror.