Planet e Fadil Nurës për sigurinë publike në Skenderaj

Komuna e Skenderajt është përballur me një fatkeqësi natyrore gjatë muajit janar e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Mbi 12 milionë euro po konsiderohet të jetë vlera e dëmiit të shkaktuar, e për të cilën Komuna po pret përgjigje pozitive prej nivelit qendror që t’i kompensojë qyetarët që kanë pësuar. 

Këtë vit, Komuna e Skenderajt ka një buxhet më të lartë se viteve të kaluara – 16 milionë euro e 291 mijë e 891 euro. 

Për shkak të mospjesëmarrjes në DebatPernime në vitin 2021 kur po kandidonte për kryetar komune, Nura nuk ishte sfiduar si kolegët e tij për planet për parandalimin e ekstremizimit të dhunshëm.

Pas më shumë se një vit, Fadil Nura ka treguar për KALLXO.com gjendjen e sigurisë së komunës që ai qeverisë. 

“Nga përvoja në pushtetin lokal në Skenderaj, probleme të tilla [me ekstremizm] ka pasur në vitet 2010-2017 deri kur e kemi largu bashkë me institucionet tjera, të ashtuquajturin hoxhë, kjo ka qenë para sulmeve terroriste. Me Këshillin e Bashkësisë Islame kemi bashkëpunim të mirë, kanë përfaqësues edhe në Këshillin për Siguri në Bashkësi. Nuk vërehet më të ketë elemente të ekstremizmit” – thotë ai. 

Ai ka përmendur si problematik edhe rrahjet mes adolenshenteve. 

“Pastaj problem këto ditë jane rrahje të ndryshme mes të rinjve por po mundohemi që në kuader të sistemit arsimor t’i evidentojmë se cka është problemi dhe t’i japim zgjidhje” – ka thënë Nura.

Komuna e Skenderajt ka aktualisht 3 psikolog dhe 6 pedagog. Në këtë komunë janë 23 shkolla fillore, 3 të mesme dhe 2 çerdhe. 

“Programi im e ka paraparë psikolog në shkolla, kemi rekrutuar disa por kemi pak problem sepse sistemi arsimor një pjesë të kompetencave ka ministria dhe një pjesë komuna, dhe duhet harmonizuar në raste të tilla dhe të krijohet mundësi. është nevoja sidomos tek shkollat e mëdha. Jemi duke punu në këtë drejtim nuk kemi arritur ende ta funksionalizojmë ashtu sic jemi duke planifikuar edhe digjitalizimi nëpër shkolla” – ka thënë Nura.

Për të luftuar dukuritë negative, kryetari Fadil Nura ka planfikuar që të zgjerojë rrjetin e kamerave të sigurisë nëpër parqe.

Sipas Nurës, 70 për qind e kamerave që janë aktuale të vendosura, janë jashtë funksionit. 

Ai thotë se në plan kanë që të përfshijnë me kamera edhe parkun Idriz Rrecaj për t’i kontribuar sigurisë publike. Pikërisht për këtë park, KALLXO.com ka publikuar më 19 mars 2023 disa fotografi nga demolimi i pajisjeve. Një ditë pas, kishte reaguar kryetari Nura duke paralajmëruar masa për vandalizimin. 

“Ne e kemi në projekt, të shpallur edhe në e-prokurim zgjerimin dhe rifunksionalizimin e kamerave, në disa pjesë kanë qenë, në disa të tjera kryesisht në shetitore nuk kanë të përfshira, kam kërku që të përfshihet edhe në parkun te Pishat, te parku Idriz Rreci, në disa akse të caktuar sipas kërkesave së Policisë, sepse kemi bashkëpunim me Policinë dhe rifunksionalizimi e atyre kamerave që kanë qenë deri me tash sepse kanë qenë rreth 70 për qind jashtë funksionit” – ka thënë kryetari Nura në prononcimin për KALLXO.com

Më 13 mars 2023, Komuna e Skenderajt ka shpallur tender për furnizim dhe mirëmbajtja e kamerave të hapësirave. Lloji i procedurës është e hapur. 

Nura ka shpalosur një projekt për të kursyer energjinë elektrike dhe rrjedhimisht edhe të mirëmbahet ndriçimi publik. 

“Jemi në një projekt që po mendojmë në bashkëpunimim me slloventë për energji efiqente që kap rreth 2 milionë e gjysmë euro që nënkupton zëvendësimin e poçave efiqentë bashkë me një program që parasheh nga ora 12 në mbramje, dritat automatikisht me e zvogëlu ndriçimin në mënyrë që me u kursy energjia. Dhe ajo pjesë e konsumumit me u pagu për dhjetë vite dhe si zgjerimin e ndriçimit nëpër fshatra. Mirëmbajtje deri tash kemi shpenzuar 45 mijë euro në vit [2022]. Ne po planifikojmë që në kuadër të kësaj kontrate me u bë edhe mirëmbajtja edhe investimi. Jemi edhe në proces të prokurimit, sepse ligji e lejon këtë formë të investimit në energji” – thotë ai. 

Sipas të dhënave në e-prokurim, më 11 tetor 2022 është hapur tenderi me titullin “Projekti Led i ndriqmimit ne qytetin e Skenderajt”.

Më 30 nëntor 2022, është nënshkruar kontrata. Tenderi është dhënë më 5,299.40 euro.

Një problem tjetër që ka përmendur kryetari Nura është edhe qentë endacak, por shtonë se nuk kanë kapacitet si komunë që ta zgjedhin këtë çështje. 

“Kemi një bashkëpunim të mirë edhe me Policinë kemi funksional Këshillin për Bashkësi, por problemi i qenve endacak është kryesor. Por jo vetëm ne si komunë, por edhe komunat tjera pasi trajtimi i tyre kërkon fonde të mëdha dhe komunat skanë kapacitete në zgjidhjen e kësaj çështje”- thotë Nura. 

Më 24 janar 2023, Komuna e Skenderajt ka mbajtur mbledhjen e Këshillit për Siguri në Bashkësi. Sipas njoftimit, në këtë takim ëshë përmendur ngritur si shqetësim qarkullimi i mjeteve motorike dhe jomotorike në Sheshin “Adem Jashari”, për çka, nga komandanti i Stacionit Policor në Skenderaj, Muhamet Kajtazi, është kërkuar shtim të njësive patrulluese, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm dhe mos të ketë rrezik nga ngasja e mjeteve motorike (motoçikleta dhe biçikleta).