Screenshot: Policia e Kosovës

Pretendimet e protestuesit në Graçanicë se është lënduar nga një veturë në lëvizje, Policia publikon video

Pas arrestimit të djeshëm të një qytetari me nacionalitet serb – Dragisha Millenkoviq, i dyshuar për krime lufte – qytetarë të shumtë u mblodhën e bllokuan rrugën Prishtinë – Graçanicë.

Sipas Policisë së Kosovës, kjo protestë ka qenë e paparalajmëruar e disa prej pjesëmarrësve kanë shfaqur sjellje dhe veprime agresive e të dhunshme ndaj pjesëmarrësve në trafik, si dhe shpërfillje të urdhrave policor, të cilat ishin që të lirohej segmenti rrugorë dhe të lirohen veturat e bllokuara për të lëvizur.

Sipas Policisë, diçka e tillë nuk është aprovuar nga ana e protestuesëve, madje njëri prej tyre ka pretenduar se është lënduar nga një veturë në lëvizje dhe i njëjti ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Pas këtyre pretendimeve, policia menjëherë ka filluar një hetim lidhur me rrethanat e deklaruara nga ankuesi.

Sipas një njoftimi zyrtarë, hetimi i deritanishëm i kryer nga ana e policisë, ndërlidhur me rrethanat e ngjarjes ka nxjerrë në pah faktin se ankuesi nuk është prekur nga vetura në lëvizje por i njëjti me veprimin e tij të dhunshëm, me qëllim për ta goditur veturën në fjalë ka vetëlënduar këmbën e tij.

“Andaj përkitazi me rastin, me qëllim të informimit sa më të drejtë të opinionit publik, në funksion të së vërtetës dhe për të përjashtuar të gjitha informatat e rreme, në dispozicion të publikut paraqesim edhe pamjet filmike që kanë rezultuar nga trajtimi hetimor i ngjarjes” – ka thënë Policia.

Këto pamje filmike mund t’i gjeni duke klikuar KËTU.

Protesta në Graçanicë pati edhe sot në kundërshtim të arrestimit të Millenkoviq, i cili dyshohet se ka kryer krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Ai është sjellë sot para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Policia ka thënë se ndaj Millenkoviq janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina, konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.

Zyrtarët kompetentë nën autoritetin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake-Departamenti Special, kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri, 136 fishekë, një thikë ushtarake, një shumë metalike, dokumente, vendime, shënime dhe një telefon personal dhe gjëra të tjera të cilat do të përdoren gjatë trajtimit të rastit.