Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend të Kosovës, (15.12.2022), Foto: KALLXO.com

Presidentja të premten i adresohet Kuvendit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten do t’u adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Seanca do të mbahet me fillim nga ora 11:00.

Kështu kishte vendosur kryeparlamentari Glauk Konjufca, në mbledhjen e Kryesisë e mbajtur më 1 dhjetor të këtij viti.

“Më 15 dhjetor, Kuvendit pritet t’i adresohet me fjalimin e saj vjetor, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Osmani do t’i drejtohet Kuvendit sipas obligimit kushtetues, që e detyron presidentin të dalë para deputetëve së paku një herë në vit.

Më 4 prill 2021, presidentja Vjosa Osmani, me 71 vota në rundin e tretë të votimit, mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesë-vjeçar.

Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.

Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit garoi në listën e partisë Lëvizja Vetëvendosje, doli personi më i votuar në vend me mbi 300 mijë vota.

Vjosa Osmani ishte pjesë e LDK-së deri kur u shkarkua nga pozitat udhëheqëse në këtë parti.